Nis era “Cungu” te Vllaznia. Kryebashkiakja Voltana Ademi ka pritur sot, në orën 10:00, në zyrën e saj, stafin e ri teknik të skuadrës së futbollit, lojtarët dhe bordin drejtues, duke bërë edhe prezantimin zyrtar të Armando Cungut në krye të kuqebluve, në gjysmën e dytë të sezonit. Sikurse dihet, trajner është emëruar Armando Cungu, një ish-futbollist i kësaj skuadre, që ka drejtuar me sukses Kukësin dhe Laçin. Ai ka për detyrë të rikthejë Vllazninë në shinat e duhura, ta ngrejë në lartësinë e emrit dhe traditës që ka, duke pasur të siguruar anën financiare nga Bashkia e Shkodrës.



Ashtu sikurse tha edhe presidentja e Vllaznisë, kryebashkiakja Voltana Ademi, me riorganizimin e bordit drejtues, të stafit teknik, nis një erë e re për këtë klub, i cili nuk duhet kurrsesi të notojë më në ujëra të turbullta, të rrezikojë mbijetesën në Superiore. “Po nisim një fazë të re me Vllazninë. Po plotësojmë një kërkesë të tifozëve, për të sjellë në krye të skuadrës një staf profesionist. Jemi të kënaqur që Cungu pranoi të marrë drejtimin e Vllaznisë. Besoj se gjërat tani do të marrin zgjidhjen e duhur. I kam siguruar futbollistët se gjithçka, nga ana financiare, do të jetë e garantuar. Besoj se do të nisim një projekt serioz edhe për të ardhmen,” – ka thënë në fjalën e saj Ademi.



Më pas e ka marrë fjalën Armando Cungu, trajneri i ri i Vllaznisë: “Për mua është privilegj dhe nder të drejtoj Vllazninë. Falënderoj kryebashkiaken Ademi për besimin e treguar dhe tashmë do të nisë një punë e madhe. Natyrisht, nuk kam shkopin magjik për ndryshimin e situatës, por të gjithë së bashku duhet të punojmë pët të bërë gjëra të mira për këtë skuadër”.






telesport.al ©