Dje janë stërvitur normalisht, në seancën e parë për vitin 2016, ndërsa sot e kanë nisur ndryshe ditën. Fjala është për futbollistët e Vllaznisë. Ata kanë kërkuar një takim me kryetarin e bordit mbikqyrës të klubit, Shpëtim Qukun. Kuqeblutë nuk janë zhveshur për të nisur stërvitjen, pa ardhur drejtuesi i sapozgjedhur. Vetëm pas ardhjes së tij, pas takimit që është zhvilluar me dyer të mbyllura, pa praninë e kamerave, stërvitja e Vllaznisë ka nisur në “Reshit Rusi”.
Ky “samit” ka zgjatur rreth 15 minuta, ndërkohë që vetë Quku nuk ka patur dëshirë të komunikojë me mediat. Ai ka thënë se nuk ka asgjë për të deklaruar, ndërkohë që në emër të futbollistëve ka folur kapiteni Ndriqim Shtubina. Ky i fundit ka shpjeguar arsyen e këtij takimi dhe atë çfarë u diskutua në të: “Kam qenë unë, personi që i ka telefonuar zotit Quku. Në emër të ekipit i kam kërkuar takim për të diskutuar për të ardhmen dhe për të marrë garancitë e duhura.
Natyrisht, vëmendja kryesore në diskutim ka qenë ajo e rrogave, nëse do të kemi garancinë e duhur për të ardhmen. Ai na premtoi shumë gjëra, por kuptohet, duhet pritur edhe pak kohë për normalizimin e situatës. I kemi lënë afat deri të premten dhe, nëse nuk marrim përgjigje pozitive, atëherë do të bojkotojmë stërvitjen. Duam të dimë se kur do t’i marrim lekët, sepse me to mbajmë familjet. Nuk e kemi shqetësim se nuk i marrim, pasi bashkia ka qenë gjithnjë korrekte, por nuk duam vonesa të gjata, siç na ndodhi edhe para pak kohësh. Shpresojmë të gjendet zgjidhja e duhur”.
telesport.al ©
Vllaznia kërkon garanci financiare, lojtarët i japin ultimatum bordit mbikqyrës
Kuqeblutë nuk janë zhveshur për të nisur stërvitjen, pa ardhur drejtuesi i sapozgjedhur. Vetëm pas ardhjes së tij, pas takimit që është zhvilluar me dyer të mbyllura, pa praninë e kamerave, stërvitja e Vllaznisë ka nisur në “Reshit Rusi”. I kemi lënë afat deri të premten dhe, nëse nuk marrim përgjigje pozitive, atëherë do të bojkotojmë stërvitjen. Duam të dimë se kur do t'i marrim lekët, sepse me to mbajmë familjet. Nuk e kemi shqetësim se nuk i marrim, pasi bashkia ka qenë gjithnjë korrekte, por nuk duam vonesa të gjata.
Komentet