Loro-Borici-tapeti
 

Viti 2016 ka nisur me lajme të mira për stadiumin “Loro Boriçi”. Tapeti i tij thuajse ka përfunduar së shtruari dhe natyrisht që me kryerjen e këtij procesi afrohet gjithnjë e më shumë puna për përfundimin e së ndërtuari të këtij impianti sportiv. Ndonëse ditë festash, edhe dje, edhe sot, ka vijuar puna për shtrimin e barit të stadiumit. Në fakt, ky proces u bë në një periudhë disi të papërshtatshme, e cila përkoi me nisjen e ngricave në qytetin e Shkodrës, por duket se firma greke, që është marrë me shtrimin e këtij tapeti, i ka marrë të gjitha masat që të mos ketë asnjë problem.

Loro-Borici-tapeti,-tribuna

Lagia e bazamentit të tokës para shtrimit të tij, apo dhe mbulesa me plastmas pas përfundimit të shtrimit, janë disa mjete që firma ka zgjedhur për mospasjen e asnjë problemi në këtë drejtim. Natyrisht që me shtrimin e tapetit puna avancon edhe më shumë drejt përfundimit të punimeve të këtij impianti sportiv. Në tribunën qendrore, punimet kanë avancuar jo pak dhe ajo tashmë ka nisur të marrë formë të plotë. Po ashtu, edhe në tribunën anësore, që është ndërtuar e re, ku pritet vetëm vendosja e stolave.

Loro-Borici-tribuna

Në dy tribunat e vjetra, ndërkohë, rikonstruksioni ka ecur mirë dhe nuk do shumë kohë që ato të përfundojnë. Në pamje të parë duket qartë se stadiumi “Loro Boriçi” ka nisur të marrë formë, megjithatë sërish duket krej e pamundur përfundimi i tij në muajin shkurt, ashtu siç ka premtuar presidenti i FSHF-së Armando Duka. E rëndësishme është që punimet tashmë po ecin mirë dhe mbase nga marsi apo prilli gjithçka do përfundojë.

Loro-Borici,-rikonstruksion

telesport.al ©

Komentet