Me përmasat që ka filluar të marrë gjatë dy ditëve të fundit, sfida e kryeqytetit, apo derbi tradicional, Tirana-Vllaznia duket se nuk do të jetë thjesht një ndeshje radhe e kampionatit të Kategorisë Superiore, por një përballje jo pak emocionuese, ku më i fituari në këtë rast do të dalë pa tjetër publiku sportdashës, jo vetëm ai i pranishëm në “Selman Stermasi”, por edhe ato qindra e mijëra që do ta ndjekin atë përmes valëve të radios dhe televizionit. Dikush nga specialistët e futbollit shkodran u shpreh dje se me të drejtë opinion sportiv shqiptar është përqendruar në supersfidën e kreut të tabelës së klasifikimit, çiftit Skënderbeu-Partizani që do të luhet në Korçë, por ka shumë mundësi se shfaqjen më të bukur sportive ta dhurojë dueli i “Selman Stërmasit”, Tirana-Vllaznia.

Interesimi i tifozëve – Ajo që në fakt po e bën edhe më të nxehtë atmosferën e kësaj prag-ndeshjeje është interesimi i madh që ka tërhequr kjo sfidë për tifozerinë shkodrane, e cila më shumë se asnjëherë tjetër ka shfaqur interes për të qenë e pranishme në shkallët e stadiumit kryeqytetas në mbështetje të skuadrës së zemrës. “Vllaznit Ultras”, grupi simpatik i krijuar 10 vite më parë, që nuk u është ndarë për asnjë çast kuqebluve, jo vetëm në ndeshjet brenda, por edhe jashtë, pikërisht të shtunën ka ditën e përvjetorit, festimet e së cilit ka paralajmëruar se do t’i bëjë në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi”, duke pritur si dhuratë nga skuadra një fitore të artë.

Organizimi – Por jo vetëm “Vllaznit Ultras” do të jenë në kryeqytet këtë fundjavë, sepse një interesim mjaft të madh ka edhe nga masa e madhe sportdashëse e qytetit verior, për të cilët klubi i futbollit Vllaznia në bashkëpunim me presidentin e kompanisë “Super Bast” në Shkodër, Ardit Kraja duke vënë 5 autobusë falas në dispozicion të tyre. Krahas tyre, një tjetër kategori tifozësh që si zakonisht preferojnë të udhëtojnë me automjetet e tyre private pritet t’u bashkohen fansave kuqeblu në ballafaqimin e kryeqytetit. Duke i shtuar edhe shkodranët e shumtë të Tiranës, të tillë quhen ato që jetojnë prej vitesh në kryeqytet, bëjnë që numri i mbështetësve të Vllaznisë në sfidën me Tiranën me të vërtetë të shkojë në një numër të konsiderueshëm duke bërë që skuadra e tyre ta ndjejë veten si në shtëpinë e tyre.