Në ndeshjen e fazës së parë, të luajtur në Pukë, mes Vllaznisë dhe Tiranës, ka qenë i pranishëm një numër i madh tifozësh shkodranë. Kjo, ngaqë klubi shkodran, por edhe donatorë të ndryshëm, kishin vënë në dispozicion të tyre pesë autobusë për transportin drejt këtij qyteti. E njëjta gjë duket se do të ndodhë edhe këtë të shtunë.

Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë klubit shkodran, sipas të cilave me klubin “Tirana” ka patur kontakte për pritjen, vendosjen dhe sistemin e këtyre tifozëve në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi”, në mënyrë që të mos ketë ndonjë incident në mes dy tifozërive. Për tifozët kuqeblu pritet të vihen në dispozicion pesë autobusë. Numri i atyre që do të udhëtojnë drejt kryeqytetit duket i madh.



Për tifo-grupin “Vllaznit Ultras”, në fakt, kjo do të jetë një ditë e veçantë, sepse festojnë 10-vjetorin e krijimit të tyre dhe festën duan ta zhvillojnë në “strofullën” e rivalëve të tyre kryesorë, tifozëve të Tiranës. Megjithatë, e rëndësishme është që takimi të mos shoqërohet me probleme dhe në fushë të fitojë më i miri.

telesport.al ©

Komentet