Në një mot tërësisht dimëror, ku temperaturat u ulën ndjeshëm të enjten në qytetin verior, futbollistët kuqeblu kanë konsumuar seancën e parafundit stërvitore në stadiumin “Reshit Rusi”. Nesër në këtë fushë do të përballen me Tërbunin e Pukës, ndeshje kjo e planifikuar të luhet të orën 14:00. Në njërën anë të fushës tekniku Grima me njërin grup dhe në anën tjetër kolegu i tij Kraja me grupin tjetër së bashku me trajnerin e portierëve, Legata, seanca e djeshme ka vijuar të vërë në jetë programin e planifikuar stërvitor. Më pas, si zakonisht dy ditë përpara ndeshjes zyrtare ka ardhur edhe një ndeshje dy herë nga 15-të minuta, ku stafit kryesisht i shërben për konsolidimin e formacionit të parë. Kështu, mesa është parë në fushën e lojës në anën e titullarëve ka veshur me jelekun e verdhë që zakonisht stafi e ka të përzgjedhur si jelekun e titullarëve, malazezin Dragojeviç në portë për të vijuar me mbrojtjen, Arbrin djathtas, Cicmil dhe Pjeshka në qendër dhe Marku majtas. Në mesfushë Haxhibuliç, Bardulla, Sefa dhe Shtubina dhe në sulm Kalaja me Çinarin. Një ballafaqim me të dytën që për hir të së vërtetës, ashtu siç pati nënvizuar Grima në një prononcim të mëparshëm në ndeshjet stërvitore futbollistët nxjerrin “xixa”, duke nënkuptuar luftën e fortë sportive që kanë mes vetes, të cilën sipas tij duhet ta pasqyrojnë me të njëjtin rendiment edhe në ndeshjet zyrtare. Këtë u ka kërkuar edhe dje Grima futbollistëve të tij, duke qenë mjaft rigoroz në zbatimin e detyrave të dhëna në aspektin teknik dhe sidomos atë taktik, pasi vetëm kështu duke e respektuar në maksimum sfidën me pukjanët skuadra mund të arrijë tek objektivi i fitores që në këtë ballafaqim ndaj një rivali direkt merr vlera shumë më të rëndësishme. Rreptësia e tij nuk ka nguruar të shfaqet edhe në ndërprerjen e lojës në shumë raste për t’i tërhequr vëmendjen shumë lojtarëve titullarë, aq sa në një moment njëshi i pankinës kuqeblu u tregua i ashpër me mbrojtësin Pjeshka.
Me sa konstatuam nga distanca së bashku edhe me një grup specialistësh të futbollit që po e ndiqnim ndeshjen përgatitore, Grima po i kërkonte Pjeshkës që ta luante shpejt, por me sa duket i pakënaqur që ai e mbajti diçka më shumë, jo vetëm që i tërhoqi vëmendjen, por e ndali lojën, duke i ndërruar jelekun mbrojtësit të qendrës dhe në vend të tij kaloi nga e dyta Borshin tek e para.
Në vazhdim përgatitorja ka vijuar të jetë me të vërtetë e fortë, ku ndër të tjera të pranishmëve i mbeti në kujtesë një gol spektakël i realizuar nga skuadra e dytë me autor Dycen përmes një goditje perfekte dënimi.
© Sport Ekspres
Sfida jetike me Tërbunin, ndihet presion te Vllaznia
Grima rigoroz në stërvitje, ndëshkon titullarët që mbajnë shumë topin në përdorim. Sfidën me pukjanët ai e konsideron shumë të rëndësishme, ndaj kërkon prej të tijve vetëm fitore.
Komentet