Bordi i ri i “KF Vllaznia sh.a”, pavarësisht se tashmë është plotësuar me numrin e duhur të anëtarëve të tij, 5 veta, ende nuk ka nisur punë. Kjo, ngaqë duhet më parë regjistrimi i tyre në Qendrën Kombëtare të Rregjistrimit të Bizneseve (QKR), pasi të jetë depozituar dorëheqja e pesë anëtarëve të mëparshëm. Ky veprim pritet të mbyllet gjatë ditës së sotme dhe më pas, menjëherë Bordi i Ri Mbikëqyrës mund të nisë punë. Nuk dihet ende se kush do të ketë të drejtë ta thërrasë mbledhjen e parë të tij, Kryetari i Këshillit Bashkiak apo Kryetarja e Bashkisë, megjithatë e rëndësishme është që ai të mblidhet sa më parë dhe të nisë misionin.

Siç dihet, pesë anëtarët e rinj të bordit janë Shpëtim Quku, Mark Laloshi, Admir Teli, Beniamin Nako dhe Sytki Muça. Pozitiv është fakti se tre prej tyre kanë qenë pjesë e sportit dhe pikërisht Quku, si ish-basketbollist, Teli si ish-futbollist i njohur i Vllaznisë dhe i kombëtares, ndërsa Nako si ish-gjimnast dhe sot dekan i Fakultetit të Edukimit Fizik në Universitetin “Luigj Gurakuqi”.



Nisja punë e bordit të ri vjen në një moment të rëndësishëm, sepse Bashkia e Shkodrës po harton projekt- buxhetin për vitin 2016 dhe natyrisht që aty do të bëhet edhe programimi i asaj se çfarë do llogaritet për Vllazninë gjatë vitit të ardhshëm. Nisja punë e bordit të ri mendohet të sjellë jo pak risi në drejtimin e klubit shkodran, megjithatë, saktësisht, se çfarë do të ndodhë, duhet pritur edhe disa ditë.

© telesport.al