Futbollistët e Vllaznisë nuk do të kenë të drejtë të flasin për mediat gjatë këtyre ditëve. Ky është vendimi që u ka komunikuar trajneri dhe njëkohësisht drejtori sportiv i klubit, Armir Grima. Ai ua ka komunikuar atë lojtarëve dhe tashmë asnjëri prej tyre nuk ka të drejtë të flasë. Këtë gjë e kanë bërë të ditur vetë ata për gazetarët, duke thënë se nuk u lejohet të prononcohen. Kjo gjë, po ashtu, pohohet edhe nga drejtuesit e klubit. Në fakt, te klubi shkodran kishte kohë që nuk aplikohej një praktikë e tillë në komunikimin me mediat. 

Por, këtë herë, nuk ka patur asnjë problem me këta të fundit. I gjithë problemi është me lojtarët. Ata nuk po e justifikojnë aspak veshjen e fanellës kuqeblu me lojën e tyre dhe jo më kot ndodhen në vendin e fundit në renditje. Situata nuk është aspak e mirë dhe tashmë futbollistët nuk mund të justifikohen më me mungesat e rrogave, sepse i kanë marrë ato. E çuditshme kjo, por ky është realiteti. U duk se marrja e rrogave do të sillte një ndryshim në rezultatet e skuadrës dhe efekti i parë u dha me fitoren ndaj Flamurtarit, por kjo nuk mjaftoi.

Menjëherë pas saj erdhën dy humbje radhazi me Laçin dhe Flamurtarin, humbje këto që e kanë zbritur këtë ekip sërish në vendin e fundit. Pikërisht, për të gjitha këto, është dhënë urdhër që futbollistët të kyçin gojën në mënyrë që të punojnë më shumë në stërvitje për të dalë nga kjo situatë ku ndodhet Vllaznia. Nuk dihet ende sesa do të zgjasë kjo heshtje shtypi, e cila në fakt vlen vetëm për futbollistët, sepse pjesëtarët e stafit teknik do të prononcohen si zakonisht në prag të çdo ndeshjeje.

© telesport.al