Skuadra shkodrane pasditen e sotme ka pësuar humbjen e 10-të në kampionat, në  14 ndeshje të zhvilluara. Ajo që shqetëson është edhe numri i madh i golave, plot 20, por jo vetëm kaq. Shumica e këtyre ndeshjeve të humbura kanë ardhur për shkak të gabimeve elementare të prapavijës së kësaj skuadre. Kështu ka ndodhur edhe ditën e sotme, përballë Laçit, teksa në të dy golat e pësuar, faji bie mbi lojtarët e repartit difensiv të kuqebluve. Në të parin, Kruja u shfaq krejtësisht i lirë në zonë dhe nuk e pati të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë. Në të dytin, një kros pa pretendime nga krahu i majtë dhe topi nuk u largua nga askush por përfundoi në rrjetë, i shtyrë nga shkodrani tjetër Nimani.

Laçianët në fakt për asnjë moment nuk u shfaqën dominues në fushë. Jo më kot, trajneri i tyre Armando Cungu gjatë gjithë ndeshjes ka lëshuar shumë të bërtitura në adresë të futbollistëve të tij, sigurisht i pakënaqur me atë që po tregonin në fushë. I pakënaqur ka qenë natyrisht edhe trajneri i Vllaznisë Armir Grima, e këtë ai e ka shprehur edhe në prononcimin e tij të pasndeshjes kur deklaroi se “humbja erdhi nga gabime foshnjarake të lojtarëve tanë”. Në fakt reparti i mbrojtjes sot shfaqi shumë probleme. Sidomos qëndra e saj e cila në këtë ndeshje ndoshta ka qenë një “eksperiment” sepse luanin për herë të parë dyshja e të rinjve Pjeshka- Borshi.

Të dy 20 vjeçarë, të dy paeksperiencë dhe natyrisht që kjo dallohej qartë në veprimet e tyre. Sigurisht që ata nuk janë fajtorët e vetëm për humbjen e sotme por pjesë e saj. Përgjegjësia shkon më larg. Asnjëri prej këtyre dy lojtarëve nuk ishte projektuar për të luajtur titullar në këtë kampionat. Ish-trajneri Zmijani mori në merkato malazezin Cicmil dhe kosovarin Haxhaj për të “blinduar” qendrën e mbrojtjes por në fakt ajo asnjëherë nuk “u blindua”. Janë pësuar gola të rëndomtë dhe jo më kot, kosovari Haxhaj përfundoi në stol dhe tashmë madje është larguar nga skuadra. Ndërkohë mungesa e Cicmil për arsye kartonash në takimin e sotëm u ndie shumë. Vllaznia e ka të nevojshme për ndërhyrjen në merkato në janar pikërisht në këtë repart, por nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë. Plot 20 golat e pësuar deri më tani dhe 10 humbjet e marra nga ana e Vllaznisë, natyrisht që janë treguesi më i mirë i problemeve që kjo skuadër ka.




 

Komentet