Sërish mungesa: Cicmil dhe Bardulla me kartona, Marku i dëmtuar
Vllaznisë nuk po i ndahen mungesat nga java në javë e titullarëve të saj. Pas një stabiliteti të përkohshëm që Grima pati me formacionin në ndeshjen me Flamurtarin, të mërkurën me Laçin, e sigurt është që do t’i mungojë dyshja Cicmil-Bardulla. Kartonët e verdhë, që morën të shtunën e kaluar ndaj vlonjatëve, për mbrojtësit malazez Cicmil dhe mesfushorin Bardulla ishin të tretët sipas radhës çka i skualifikojnë automat8ikisht ëpr një ndeshje. Ndërkohë, një përplasje e ashpër e mbrojtësit Marku me një nga sulmuesit vlonjat të shtunën ka rezultuar me probleme për shkodranin në gjurin e djathtë. Me rekomandimin e stafit mjekësor, në seancën e djeshme, Marku nuk është stërvitur me skuadrën, duke ndjekur procesin stërvitor nga pista e “Reshit Rusit”. Ai i është nënshtruar një terapie intensive dhe në seancën e sotme (e hënë) stafi mjekësor do të bëjë testin e parë, fillimisht me aplikimin e vrapimeve rreth fushës. Në vazhdim nëse ka sinjale pozitive, do vendoset nëse do jetë gati të mërkurën. Me përparësi vazhdon të ndiqet edhe situata e sulmuesit Sebastian Soza, i cili gjithnjë sipas stafit teknik, ka tregues pozitiv. Edhe dje, ai nuk është bashkuar me grupin, por me të gjitha gjasat, sot do të jetë ndryshe dhe gjasat po shtohen që Soza të jetë në fushë të mërkurën me Laçin.
Komentet