Rikthehen të dëmtuarit – Ajo çfarë ka tërhequr vëmendjen dhe që konsiderohet me të vërtetë mjaft pozitive është fakti se në sfidën ndaj Flamurtarit do të jetë një Vllazni më e plotë. Kështu në krahasim me ndeshjen e javës së kaluar të luajtur mbrëmjen e së hënës në kryeqytet ndaj Partizanit, këtë javë në dispozicion të teknikut Grima do të jenë edhe të munguarit e sfidës së kaluar. Krahas Arbrit dhe Markut që shlyejnë penalitetin e skualifikimit me tre kartonë të verdhë, të gatshëm janë edhe Hadzibuliç dhe Hakaj, të cilët për arsye dëmtimi nuk ishin pjesë e skuadrës në përballjen me të kuqtë e Partizanit. Të katër këto futbollistë gjatë seancës stërvitore të djeshme kanë punuar me grupin e parë duke konsumuar ngarkesat e plota të programuara nga stafi teknik. Në pritje të rikuperimit është edhe uruguaiani, Sebastian Soza me të cilin stafi teknik po punon me përkushtim për ta riaftësuar deri ditën e ndeshjes. Megjithatë, në “shërimin” e plotë të tij mund të ndikojë edhe dalja e pritshme e rrogave për skuadrën. Pasi të mbushë xhepat, kthimi në shtëpi detyrimisht pritet t’ia lehtësojë jo pak dhimbjet, jo vetëm fizike, por edhe ato psikologjike. Atmosfera tek Vllaznia ka qenë shumë e zymtë për shkak të rezultateve të dobëta, rrogave të munguara dhe fatit kundër në disa ndeshje.
Grima garanton rrogat, rikthehen të dëmtuarit
Tekniku i kuqebluve siguron futbollistët se do të marrin pagat. Shkodranët rikuperojnë lojtarët e dëmtuar për ndeshjen me Flamurtarin Pritej të ishte ndryshe, një seancë jo shumë normale që mund të niste edhe me bojkot të procesit stërvitor nga ana e futbollistëve. Por, kësaj situate i ka dalë në ballë tekniku Armir Grima, i cili po jeton me shqetësimin e drejtë të futbollistëve. Më parë në këmbënguljen e tij, përfaqësues të qeverisjes vendore kishin marrë premtimin se rrogat e futbollistëve do të kalohen patjetër përpara ndeshjes me Flamurtarin. Këtë lajm e ka përcjellë menjëherë tek skuadra. Madje, nga sa mësohet, në këmbënguljen e tij, Grima ka marrë garanci që kalimi i rrogave nga dega e Thesarit do të fillojë që nga dita e enjte. Një gjë e tillë ka bërë që “agresiviteti” i futbollistëve në kërkim të të drejtave të tyre të zbutet në maksimum. Me këtë frymë është zhvilluar edhe seanca stërvitore e së mërkurës që falë reshjeve të shiut që vazhdojnë të jenë të pranishme në qytetin e Shkodrës është spostuar në “Reshit Rusin”, një fushë kjo me bar sintetik.
Komentet