Rikthehen të dëmtuarit – Ajo çfarë ka tërhequr vëmendjen dhe që konsiderohet me të vërtetë mjaft pozitive është fakti se në sfidën ndaj Flamurtarit do të jetë një Vllazni më e plotë. Kështu në krahasim me ndeshjen e javës së kaluar të luajtur mbrëmjen e së hënës në kryeqytet ndaj Partizanit, këtë javë në dispozicion të teknikut Grima do të jenë edhe të munguarit e sfidës së kaluar. Krahas Arbrit dhe Markut që shlyejnë penalitetin e skualifikimit me tre kartonë të verdhë, të gatshëm janë edhe Hadzibuliç dhe Hakaj, të cilët për arsye dëmtimi nuk ishin pjesë e skuadrës në përballjen me të kuqtë e Partizanit. Të katër këto futbollistë gjatë seancës stërvitore të djeshme kanë punuar me grupin e parë duke konsumuar ngarkesat e plota të programuara nga stafi teknik. Në pritje të rikuperimit është edhe uruguaiani, Sebastian Soza me të cilin stafi teknik po punon me përkushtim për ta riaftësuar deri ditën e ndeshjes. Megjithatë, në “shërimin” e plotë të tij mund të ndikojë edhe dalja e pritshme e rrogave për skuadrën. Pasi të mbushë xhepat, kthimi në shtëpi detyrimisht pritet t’ia lehtësojë jo pak dhimbjet, jo vetëm fizike, por edhe ato psikologjike. Atmosfera tek Vllaznia ka qenë shumë e zymtë për shkak të rezultateve të dobëta, rrogave të munguara dhe fatit kundër  në disa ndeshje.

Komentet