Në ndeshjen ndaj Teutës, në tribunën “VIP” të fushës “Reshit Rusi” kanë qenë shumë ish-futbollistë e trajnerë të Vllaznisë. Njëri ndër ta, edhe Edi Martini. Ai, sigurisht, që si gjithë të tjerët është larguar shumë i mërzitur nga fusha dhe jo vetëm nga rezultati i ndeshjes, por më së shumti nga loja e zhvilluar. “Pamë një skuadër, e cila nuk prodhoi lojë. Të vjen keq për këtë gjë, megjithatë ai ishte realiteti i asaj ndeshjeje, të cilën do ta konsideroja më të dobtën e Vllaznisë këtë sezon
Më vjen sinqerisht keq për një situatë të tillë dhe, ashtu si mua, edhe gjithë të tjerëve, që kanë kontribuar për këtë skuadër ndër vite, kemi derdhur djersë që ajo të kishte një fytyrë tjetër dhe jo si kjo e tanishmja, e fundit në renditje. E kuptoj që është një situatë e vështirë, por nuk duhet të demoralizohemi. Nuk duhet të qajmë se jemi të fundit në renditje, por të shohim përpara. Lojtarët të mos e ulin tempin, por të vazhdojnë të punojnë, sepse gjërat duhet të vijnë duke u rregulluar. Kurrsesi nuk duhet dorëzuar dhe të luftojmë për t’i ikur sa më parë fundit të renditjes,” – ka thënë ish-sulmuesi i njohur i kuqebluve.
Ai ka dëshirë të flasë, sepse e ndjen në shpirt shqetësimin që po kalon Vllaznia. Prandaj gjen kohën të bëjë një apel, kur thotë: “Kjo e keqe që i ka ardhur Vllaznisë duhet të çojë në këmbë shumë njerëz, duke filluar që nga drejtuesit, futbollistët, trajnerët, stafin teknik, bashkinë, që është më kryesorja, biznesmenët e Shkodrës, sepse është një situatë vërtetë alarmante. Asnjë shkodran nuk e ka pritur dhe menduar se mund të ishim në këtë pikë”. Natyrisht që thirrja duhet të shkojë tek instancat që kanë diçka në dorë, sepse, sipas Martinit, është turp që futbollistët të sorollaten nëpër institucione për të marrë atë që u takon.
“Është turp që futbollistët të shkojnë para Prefekturës për të kërkuar lekët e tyre. Kuptohet që problemi më i madh është për këta futbollistët e huaj, të cilët aty ku kanë luajtur janë mësuar t’i marrin rrogat në datën dhe muajin e caktuar dhe jo siç ndodh këtu, ku kalojnë 3-4 muaj dhe nuk merr asgjë. Ndoshta futbollistët shqiptarë janë mësuar me këto gjëra, sepse probleme të tilla po ndodhin në shumë skuadra, por për të huajt është shumë shqetësim.Të tilla gjëra duhet të marrin fund sa më parë,” – ka thënë Martini në fund të prononcimit të tij. Ai në fakt ka kohë që përflitet si një kandidaturë për të marrë Vllazninë dhe, pavarësisht se ajo ndodhet në vend të fundit, duket se është sërish gati t’i thotë “po” ndonjë oferte të mundshme të drejtuesve të klubit. Megjithatë, duket se për momentin askush nuk e ka ndërmend të merret me çështjen e trajnerit.
telesport.al
Martini: Situatë e keqe, por Vllaznia s’duhet të dorëzohet
Kjo e keqe që i ka ardhur Vllaznisë duhet të çojë në këmbë shumë njerëz, duke filluar që nga drejtuesit, futbollistët, trajnerët, stafin teknik, bashkinë, që është më kryesorja, biznesmenët e Shkodrës, sepse është një situatë vërtetë alarmante. Asnjë shkodran nuk e ka pritur dhe menduar se mund të ishim në këtë pikë. Nuk duhet të qajmë se jemi të fundit në renditje, por të shohim përpara. Lojtarët të mos e ulin tempin, por të vazhdojnë të punojnë, sepse gjërat duhet të vijnë duke u rregulluar. Kurrsesi nuk duhet dorëzuar dhe të luftojmë për t'i ikur sa më parë fundit të renditjes
Komentet