Ndeshja ndaj Teutës ka qenë një test për klubin Vllaznia sa u takon kushteve që ofronte fusha sportive “Reshit Rusi”. Vetë Federata Shqiptare e Futbollit ditën e martë, kur dha miratimin për licensimin e kësaj fushe, u kishte vënë një kusht shkodranëve, pikërisht mbarëvajtjen e ndeshjes ndaj durrsakëve dhe, nëse do të vëreheshin probleme, natyrisht që skuadra kuqeblu nuk do lejohej të luante më aty. Por në fakt, ka ndodhur e kundërta. Drejtuesit e klubit shkodran i kishin marrë të gjitha masat për këtë takim dhe, për këtë arsye, asgjë nuk ka çaluar. Edhe drejtuesit e Teutës, që kishin udhëtuar ndoshta drejt Shkodrës me pikëpyetje apo dhe kontestim për këtë fushë, janë larguar prej këtij qyteti me përshtypje krejt të tjera.

Më e rëndësishmja për ta, kanë marrë duartrokitjet e tifozëve shkodranë, që i kanë uruar për fitoren. Kjo ka më shumë rëndësi se çdo gjë tjetër. Megjithatë, edhe masat e tjera ishin marrë ashtu si duhet. Forcat e rendit kishin “blinduar” fushën, duke i paraprirë çdo të papriture. Në tribunën VIP drejtuesit e klubit kishin bërë gjithçka ashtu si duhet, duke rezervuar vendet për veteranët e futbollit apo këshilltarët bashkiak dhe median. Tifozët ndërkohë janë sjellë në mënyrën e duhur dhe nuk ka patur as më të voglin problem.

Edhe transmetimi “live” nga kompania që transmeton ndeshjet e Superligës ka shkuar shumë mirë. Për këto arsye, edhe delegati i FSHF-së, Denis Bastari, ka dhënë vlerësimin pozitiv për organizimin e ndeshjes. Të gjitha këto çojnë drejt asaj që Vllaznia të vazhdojë t’i luajë ndeshjet e saj në këtë fushë derisa të ndërtohet stadiumi “Loro Boriçi”. Jo më kot, poshtë tribunë VIP të kësaj fushe ishte bënë edhe një baner nga drejtuesit e Vllaznisë, ku shkruhej stadiumi “Reshit Rusi”. Për rrjedhojë, radhën për të qenë mysafir aty tashmë e ka Flamurtari fundjavën tjetër.

telesport.al

 

Komentet