Probleme pa fund për ekipin e Vllaznisë. Sikur të mos mjaftonte humbja e djeshme ndaj Teutës, e cila e ka rënduar edhe më shumë situatën e kësaj skuadre, gjërat vështirësohen edhe më shumë në pragndeshjen e radhës me Partizanin. Ky takim do të luhet ditën e hënë në stadiumin “Qemal Stafa” të kryeqytetit dhe shkodranët do të përballen me kryesuesen e kampionatit me plot pesë mungesa titullarësh.

Kështu, përveç sulmuesit Soza dhe mesfushorit Krymi, që munguan edhe ndaj Teutës, për arsye dëmtimi, atyre u janë shtuar edhe tre futbollistë të tjerë, që do të mungojnë ndaj të kuqve. Kështu, dy mbrojtësit, Polizoi Arbri dhe Antonio Marku janë ndëshkuar me kartonë të verdhë në ndeshjen ndaj durrsakëve dhe kanë plotësuar kësisoj numrin tre të tyre, çka bën që të jenë të skualifikuar për takimin e radhës. Po ndaj Teutës, edhe mesfushori Haxhibuliç u dëmtua rëndë në kokë, si pasojë e një përplasjeje me një kundërshtar.

Për këtë arsye u dërgua në spital për t’u mjekuar dhe shtatë të qepurat në vetull e bëjnë të pamundur aktivizimin e tij të hënën ndaj Partizanit. Megjithë këto probleme, trajnerit Grima do t’i duhet ta ndërtojë formacionin e parë duke gjetur zgjidhje të tjera, me të cilat kuptohet që do të bjerë forca e skuadrës, por ky është realiteti dhe ai nuk ka zgjidhje të tjera për këtë takim.


telesport.al

Komentet