Trajneri aktual i Vllaznisë u ka kërkuar futbollistëve të Vllaznisë të kenë më shumë harmoni e bashkëpunim me njëri-tjetrin. Dhe këtë duhet ta kenë jo vetëm gjatë orarit të stërvitjes dhe në ndeshje. Ata duhet ta demonstrojnë këtë gjë edhe në jetën e përditshme, gjatë kohës së lirë. Grima ua ka thënë këtë, sepse mesa duket, ka vërejtur diçka jo të mirë te futbollistët që stërvit prej një muaji e gjysëm. Ata shumë pak qëndrojnë me njëri-tjetrin. Ndoshta ngaqë vijnë nga vende të ndryshme, kanë karaktere dhe mentalitete të ndryshme.

Tre malazezët i sheh duke qëndruar shumicën e kohës sëbashku, po ashtu edhe Sozën me Martinez, tre kosovarët po ashtu bashkë e të njëjtën gjë edhe Haxhibuliç me Kdouh. Nga ana tjetër, bashkë qëndrojnë thuajse gjatë gjithë kohës edhe Arbri me Sefën, madje edhe shtëpitë ku banojnë i kanë ngjitur. Grupi i shkodranëve kuptohet që edhe ai është disi i ndarë. Ata që janë më të rinj në moshë, kuptohet që formojnë grupe shokësh prej jo më shumë se 3-4 vetësh. Natyrisht një ndarje e tillë, sipas Grimës, nuk krijon afrimitetin e duhur dhe futbollistët duken disi të largët me shokët e tjerë të skuadrës dhe natyrisht që kjo mund të ketë ndikimin e vet në stërvitje apo dhe në ndeshje.

Për këtë, njeriu që drejton kuqeblutë i ka kërkuar ditët e fundit kapitenit Shtubina dhe përmes tij, gjithë të tjerëve, të jenë më të lidhur me njëri-tjetrin. Pikërisht prej kësaj, sot meqë ka qenë ditë pushimi, futbollistët dhe stafi janë mbledhur në pikën turistike të Shirokës për të ngrënë drekë sëbashku. Nuk dihet saktësisht se kush ka paguar, por e rëndësishme është që skuadra ka kaluar 2 -3 orë sëbashku. Me t’u publikuar fotot nga dreka, në rrjetet sociale nuk kanë munguar edhe komentet e tifozëve të cilët i ngacmonin futbollistët se gjoja “sapo erdhën rrogat, menjëherë në restorant”. Në fakt, rrogat e futbollistëve edhe për pak ditë nuk do kalojnë në numrat e llogarisë së tyre.

telesport.al