Ashtu siç kishte premtuar që në marrje të mandatit të saj, kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi ka vendosur që çështjen “Vllaznia” ta zgjidhë një herë e mirë. Ndonëse në publik nuk është parë diçka konkrete për këtë problem, burime pranë stafit të saj më të afërt bëjnë të ditur për “Sport Ekspres” se zonja Ademi, në listën e njëmijë e një problemeve që ka qyteti verior, dosja e Vllaznisë qëndron në krye të të gjithave në tavolinën e saj. Një gjë e tillë konfirmohet edhe nga zv.kryetari i komisionit të sportit në Këshillin Bashkiak, Filip Guraziu, i cili duke i njohur nga afër problemet në fjalë bën të ditur se kryebashkiakja Ademi e konsideron si shqetësimin kryesor çështjen e Vllaznisë ndaj duke ditur se edhe komuniteti është tej mase i ndjeshëm në këtë drejtim është e interesuar ta zgjidhë një orë e më parë. Por, nën gjykimin e saj, ajo nuk kërkon t’i japë një zgjidhje të përkohshme këtij problem, por një zgjidhje sa më të qëndrueshme afatgjatë, të garantuar profesionalisht dhe me baza ligjore. Sipas Guraziut, që njihet si një nga figurat më të spikatura të basketbollit shkodran dhe atij shqiptar, por edhe si kryetari i parë i Bashkisë pas viteve 90-të takimet dhe kontaktet e Ademit me përfaqësues të ndryshëm të fushës së biznesit e më gjerë janë të shumta dhe të vazhdueshme dhe gjithnjë sipas tij brenda muajit nëntor çështja e Vllaznisë merr zgjidhje në të gjitha hallkat e saj, përfshirë edhe ato të funksionimit administrativ të klubit kuqeblu.

Eksperti Ylli Pashuku – Një nga personat që gjatë ditëve të fundit shfaqet shumë në mjediset e Bashkisë, është Ylli Pashuku. Në komunitetin e biznesit ai njihet si një specialist investimesh dhe në të njëjtën kohë edhe ekspert i spikatur i ndërmarrjeve dhe kompanive në krizë. Duke qenë se me Bashkinë e Shkodrës ai po punon edhe me disa projekte të tjera për afrimin në qytetin verior të një grupi investitorësh italianë dhe zviceranë për hapjen e disa aktiviteteve të biznesit, ku priten të punësohen një numër i madh qytetarësh shkodranë, në të njëjtën kohë ai i ka hyrë punës për të kontribuar edhe në fushën e sportit. Ndonëse për shumë vite ka jetuar, shkolluar dhe specializuar jashtë shteti, duke qenë vetë bir i këtij qyteti, dhe aq më tepër dashamirës i sportit, por edhe ish-futbollist me ekipet e të rinjve të Vllaznisë, Pashuku ka marrë përsipër organizimin e një asambleje të zgjeruar me biznesmenë dashamirës të futbollit. Ideja e tij është që ato të jenë të shumtë, jo vetem në Shkodër, por edhe në Tiranë aty ku ai ka zyrat e kompanisë së tij të fushës që mbulon dhe rrethe të tjerë të Shqipërisë, madje duke u shtrirë edhe jashtë territorit shqiptar me biznesmenë të diasporës duke mos lënë jashtë edhe shtetas të huaj që dwshirojnw tw bwhen pjesw. Të gjitha këto, Pashuku ia ka parashtruar kryebashkiakes së Shkodrës gjatë takimeve të shumta që ka pasur me të, ku më i fundit ka qenë ditwn e djeshme, idenë e të cilit sipas vetë ekspertit Pashuku, kreu i bashkisë e ka përshëndetur. Në prononcimin e tij për “Sport Ekspres”, ai thotë se e veçanta e kësaj asambleje ortakësh qëndron në fakti se në statutin e përpiluar dhe që është gati, citohet se shuma e aksionit nuk duhet të kalojë shifrën prej 15 mijë eurosh, ndërkohë që sipas dëshirës dhe mundësisë çdo kush është i mirëpritur me shifra edhe më të ulëta. “Në aktivitetin e Vllaznisë në vite, shuma të tilla nga 5 deri në 10 apo 15 mijë euro biznesmenë të ndryshëm shkodran i kanë dorëzuar për futbollin shkodran si dhuratë pa asnjë kusht, madje shumë prej tyre edhe nuk ka dashur t’i përmendet emri në media. Ndërsa tani që kontributi i gjithsecilit do të jetë në lojë sipas ligjeve në fuqi, asnjë prej tyre nuk e refuzon një ftesë të tillë”, thotë Pashuku, i cili ndërkohë bën të ditur se puna e tij ka filluar menjëherë në terren dhe që lista e atyre që i janë përgjigjur pozitivisht një nisme të tillë ka mbërritur diku tek shifra e 70-të biznesmenëve, brenda dhe jashtë vendit. Kwtu përfshihen edhe ato të Kosovës dhe Maqedonisë, të cilët gatishmërinë e të qenurit brenda kësaj shoqërie aksionesh e kanë më tepër nga fakti që janë simpatizantë të futbollit shkodran dhe që me këtë rast i jepet mundësia ta ndjekin dhe ta shijojnë atë edhe më afër. Sipas tij, përafërsisht shuma që për momentin është e disponueshme për të qenë në dispozicion të kësaj nisme, gjithnjë nëse realizohet shkon në shifrat e tre milion eurove me tendencë për t’u shtuar akoma më shumë. Duke zbuluar një pjesë të statutit që ai ka përpiluar dhe e ka dorëzuar për shqyrtim në Bashkinë e Shkodrës, Pashuku thotë se shuma në fjalë që do të depozitohet për blerjen e aksioneve nuk është e mundur të tërhiqet apo tjetërsohet nga asnjëri prej anëtarëve për një periudhe prej 5 vitesh, vendim ky i marrë në dobi të një mbarëvajtje funksionimi sa më të suksesshëm të shoqërisë. Vetëm pas 5 vitesh, duke parë rezultatin dhe bilancin e shoqërisë, që është e destinuar të funksionojë me fitim do të nisin veprimet e para të raportit kontraktual sipas interesit të aksionierëve.

 

“Topi” tek Bashkia, biznesi është gati, por koha s’pret

 

Ndërkohë që nuk heziton të japë detaje nga më të hollësishmet që në statutin e kësaj shoqërie përcaktohen qartë edhe mënyra e funksionimit të saj, me të gjitha hallakat deri në majën e presidencës e cila zgjidhet me votim nga vete anëtarët e asamblesë, eksperti Ylli Pashuku thotë se tashmë “topi” është në anën e Bashkisë dhe të Këshillit Bashkiak. Institucione këto që punën serioze tw nisur prej ditësh për këtë çështje duhet ta vazhdojnë me një ritëm sa më të shpejtë, pasi sipas tij edhe vetë biznesmenët me të cilët ai ka kontaktuar dhe vazhdon të kontaktojë janë të interesuar që një gjë e tillë të bëhet në një kohë sa më të shpejtë. Kjo në mënyrë që të paktën për periudhën e ndërrimit të viteve të kenë mundësi të marrin në dorë fatet e Vllaznisë duke ndërhyrë qoftë në merkato apo edhe në hallka të tjera organizative për tjetërsim të klubit me synimin të ngrenë atë në majat më të larta ashtu siç i ka hije Vllaznisë si djepi i futbollit shqiptar. Që do të thotë se pasi ekspertët vendorë dhe ato të Ministrisë së Ekonomisë duhet të shprehen sa më konkretisht në përcaktimin e shitjes së aseteve të klubit Vllaznia dhe pjesën e përqindjes që mund të mbajë vete bashkia. Gjithnjë duke i lënë shoqërisë aksionere përqindjen më të madhe të blerjes së aseteve duke i dhënë asaj të drejtën të dirigjojë aktivitetin në Klubin e Futbollit Vllaznia. Në mbyllje të prononcimit të tij për “Sport Ekspres”, eksperti Ylli Pashuku deklaron se nëse Bashkia dhe Këshilli Bashkiak do të jenë në sinkron me iniciativën e tyre, bazuar në përvojën e tij profesionale si dhe të komunitetit të biznesit që ai ka marrë përsipër t’i përfaqësojë, garanton opinionin shkodran se së shpejti do të kenë një Vllazni të madhe në të gjitha përmasat e saj.