Armir Grima pranon humbjen në Korçë, e cila, sipas tij, erdhi si pasojë e dy faktorëve. E para ka të bëjë me cilësinë e Skënderbeut, skuadrës sonë kampione, dhe e dyta lidhet me mungesat që pati vetë ai në formacion: “Kualitetet e Skënderbeut bënë diferencën. Ne e dinim mirë se kë kishim përballë, por shpresonim në ndonjë befasi të këndshme. Mungesat që kishim te Vllaznia në këtë ndeshje, gjithashtu, ndikuan, pasi për një skuadër si e jona janë shumë. Te golat e pësuar ishim të pavëmendshëm, si në rastin e golit të parë, ashtu edhe në rastin e penalties, që nuk mund ta përcaktoj, ishte apo jo, por kjo pak rëndësi ka. Kemi shumë punë për të bërë.”
Njeriu që ndëshkoi Vllazninë në javën e 10-të të Superiores ishte një shkodran. Hamdi Salihi shënoi dy gola, duke hedhur “themelet” e përmbysjes korçare. Si ndihet Armir Grima, trajneri kuqebluve, kur shikon “bëmat” e një shkodrani te Skënderbeu, apo të një tjetri te Partizani, dy skuadrat kryesuese dhe rivale për titull? Ja përgjigjia e ish-portierit të skuadrës shkodrane:
“Më vjen keq që Hamdiu nuk është pjesë e jona. Në fakt, nuk duhet të më vijë keq mua, por personave të tjerë, që janë përgjegjës për këtë situatë të skuadrës. Ç’është e vërteta, nuk kam asnjë dëshirë të flas për bashkinë dhe bordin. Për Vllazninë mund të flas ditë e natë. Disa lojtarë tanët duhet të shohin veten se ku janë. Duke luajtur me lojtarë të këtij niveli duhet të tregojnë se sa vlejnë.”