Hallet e Vllaznisë gjejnë njëfarë zgjidhjeje në pragndeshjen me Skënderbeun. Kur u konfirmua fakti se kuqeblutë do të udhëtonin brenda ditës në Korçë, në ndihmë të tyre ka ardhur një mik i kësaj skuadre, pikërisht zëvendëspresidenti i FSHF-së, Lutfi Nuri. Ky i fundit medohet të ketë marrë përsipër të gjitha shpenzimet e udhëtimin të skuadrës shkodrane dhe akomodimin e saj në qytetin juglindor. Lajmi është konfirmuar nga drejtori teknik dhe trajneri i Vllaznisë, Armir Grima.
“Për fatin e mirë, Vllaznia ka miq kudo dhe një nga më të veçantët është Lut Nuri, miku i madh i Shkodrës, i Vllaznisë dhe miku im i madh. Ai, duke lexuar nëpër gazeta vështirësitë e mëdha që po kalojmë, na ka telefonuar, duke na thënë se do të marrë përsipër udhëtimin e skuadrës drejt Korçës një ditë përpara. Një rast për t’u evidentuar, sepse atë që s’po e bëjnë shkodranët, e bën një tiranas. Gjej rastin ta falënderoj për këtë gjest të bërë”. Kuqeblutë do të nisen pasditen e sotme nga Shkodra dhe natën do ta kalojnë ne Pogradec, për t’u bërë gati kësisoj për takimin e nesërm, ndaj kampionëve në fuqi.
telesport.al