Shumë probleme në pragndeshjen me Skënderbeun për ekipin e Vllaznisë. Kur ende nuk dihet se si do të udhëtojnë drejt Korçës, brenda dite apo që të shtunën, për stafin teknik të kuqebluve, një tjetër problem shqetësues është padyshim edhe mungesa e disa titullarëve, ndërkohë që edhe të tjera kanë shqetësime dëmtimesh dhe janë në pikëpyetje. Kështu, të sigurtë se do të mungojnë ditën e diel janë portieri Dragojeviç dhe mbrojtësi Arbri.

I pari, është ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen e fundit në Ballsh dhe për rrjedhojë, është i skualifikuar për këtë sfidë. Ndërkohë, mbrojtësi beratas ka ndjerë shqetësime në këmbë dhe duket se ka pësuar një tërheqje muskulare. Ai e ka të pamundur të rikuperohet për takimin e radhës. Natyrisht, që këto mungesa janë shumë të rëndësishme, sepse të dy këta futbollistë konsiderohen pika kyçe të formacionit shkodran. Nëse në portë do jetë Sherri, ende nuk dihet se si do ta kompozojë mbrojtjen trajneri Grima në mungesë të Arbrit.

Por sikur të mos mjaftonin këto probleme, në ditët e para të kësaj jave, në “infermieri” kanë qenë edhe mbrojtësi tjetër Marku, mesfushori Bardulla, si dhe sulmuesi Kdouh. Për ta do të vendoset vetëm të dielën nëse do të jenë në gjendje të luajnë apo jo. Takimi ndaj kampionëve në fuqi konsiderohet shumë i vështirë dhe shanset për të marrë pikë duken shumë të pakta edhe me këto probleme që kanë dalë, megjithatë, Vllaznia do të tentojë deri në fund në ndonjë mrekulli të mundshme.

telesport.al