Më në fund takimi i shumëpritur mes palëve është realizuar. Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, sot janë takuar me njëri-tjetrin dhe kanë biseduar gjatë. Lajmi konfirmohet nga burime pranë institucionit të pushtetit lokal të kryeqendrës së Veriut. Në fakt, ai nuk ka qenë i planifikuar. Edhe vetë z. Duka, në vizitën e tij sot paradite në stadiumin “Loro Boriçi”, deklaroi se kishte lënë një takim vetëm me kryetarin e Këshillit Bashkiak Shkodër, Xhemal Bushatin.

Takimi me të është zhvilluar në një nga kafenetë e qytetit, por duket se këtu ka lindur edhe ideja që të kishte edhe një takim me kryebashkiaken. Numri 1 i federatës ka qenë dakord për këtë gjë dhe nga sa mësohet, ata jo vetëm janë takuar, por edhe kanë drekuar sëbashku, edhe me praninë e Bushatit. Ka pak informacion në lidhje me këtë takim trepalësh, megjithatë, mësohet se është diskutuar gjerësisht për mosmarrëveshjet sa i takon kontratës për stadiumin dhe duket se parimisht është arritur akordi sa i takon pikave të diskutueshme.

Burime pranë tyre bëjnë të ditur se gjatë bisedës dyorëshe ka patur diskutime edhe për fushën sportive “Reshit Rusi”, por edhe për problematikën që po shoqëron Vllazninë. Natyrisht një takim i tillë ka qenë i shumëpritur, sepse palët po dialogonin vetëm në distancë, madje kjo u duk se u kthye edhe një problematikë jo të vogël mes palëve sa i takon kontratës që duhet firmosur për stadiumin “Loro Boriçi”.

Duka, në prononcimin e tij paradite, u shpreh qartë se institucioni që ai drejton nuk do lëvizte nga kushtet që kishte ofruar, ndërkohë që edhe Bashkia është dukur e vendosur në kushtet e vëna prej saj. Se kush ka toleruar, ende nuk dihet, por më shumë sesa kjo, e rëndësishme është që kjo kontratë thuajse tashmë është e miratuar mes palëve dhe pritet vetëm firmosja e saj nga palët respektive. “Dreka” të tilla sigurisht që ia vlejnë nganjëherë, për më tepër që bëhet fjalë për një investim shumë të rëndësishëm për qytetin e Shkodrës.

telesport.al