Sikur të mos mjaftonin problemet e krijuara nga mungesa për arsye kartonësh e mbrojtësit Cicmil dhe mesfushorit Krymi apo dhe problemet shëndetësore të disa futbollistëve të tjerë, në seancën e sotme ka shfaqur probleme edhe mesfushori Jetmir Sefa. Ai nuk ka arritur ta mbyllë deri në fund stërvitjen, sepse ka ndjerë shqetësime si rrjedhojë e temperaturës së lartë që e ka kapur. Në fakt, ky lojtar ka disa ditë që është duke shfaqur probleme. Edhe në takimin e fundit me Tiranën nuk ka qenë në gjendjen e tij më të mirë shëndetësore, madje para nisjes së tij mësohet se ka patur edhe të vjella.

Megjithatë, duke u konsideruar si një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën, është sakrifikuar nga stafi dhe ka qenë në fushë deri në minutat e para të pjesës së dytë kur është zëvendësuar, por kuptohet pa dhënë më të mirën e tij. Kjo gjendje gripale mesa duket vazhdon ta shqetësojë sërish deri më sot dhe prandaj nuk ka arritur as ta çojë deri në fund stërvitjen e radhës. Në rrethana të tilla, natyrisht që duhet pritur deri të shtunën për të parë sesi do të shkojë gjendja e tij dhe nëse do të jetë në gjendje për të luajtur apo jo.

Nëse nuk luan, kuptohet që do të jetë një problem i madh sepse edhe me mungesën e Krymit dhe me dëmtimin e Kapaklijës apo dhe gjendjen jo të mirë shëndetësore edhe të Ahmetit, gjërat për stafin teknik në qendrën e mesit të fushës vështirësohen shumë. Megjithatë, duhet pritur deri të shtunën për të parë nëse Sefa do të luajë apo jo.

telesport.al