Skuadra shkodrane ka hedhur një hap të sigurtë për kalimin e saj në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Në ndeshjen e parë të turit të dytë, atë të luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit, ndaj Apolonisë vendase, është fiksuar rezultati i barabartë 0-0. Një rezultat që natyrisht favorizon Vllazninë për kalimin në turin tjetër, pasi për të gjërat bëhen më të lehta pas këtij barazimi, teksa javën e ardhshme, në  ndeshjen e kthimit do të luajë në shtëpi.

Trajneri Grima aktivizoi në këtë takim për pjesën më të madhe, formacionin rezervë të kuqebluve. Kështu në portë luajti Sherri, ndërsa në mbrojtje Gurishta, Beci, Haxhaj e Hakaj. Ndërkohë, në mesfushë u aktivizuan Krymi, Haxhibuliç, Lushtaku e Çinari, ndërsa në sulm dyshja Kdouh-Martinez.

Kuqeblutë e kanë dominuar ndeshjen dhe kanë patur edhe raste shënimi, megjithatë pa mundur të dërgojnë topin në rrjetë. Libanezi Kdouh ndërkohë është detyruar të lërë fushën e lojës që në pjesën e parë si pasojë e një dëmtimi, në vend të të cilit u aktivizua Dyca.

Edhe në këtë pjesë të dytë Grima ka vijuar të aktivizojë më pak të angazhuarit e këtij sezoni, si Kiri e Hebaj në vend të Haxhibuliç e Martines, ndonëse performanca e të rinvje të future sot në lojë nuk ka qenë në nivelin e pritshmërive. Të njëjtën strategji testuese ka aplikuar edhe skuadra fierake, e cila gjithashtu ka preferuar që për këtë takim të aktivizojë futbollistët e saj që kanë patur më pak hapësira në dispozicion. Gjithsesi, me këtë takim të mbyllur në shifrat 0-0, do të jetë java e ardhshme ajo që do të vendosë se cili nga dy ekipet do të mund të vijojë eksperiencën në këtë kompeticion.

 

Komentet