Te Vllaznia nuk ka asnjë problem rrogash. Garancia për këtë i është dhënë futbollistëve dhe stafit teknik nga ana e bashkisë pasditen e sotme. Në mungesë të kryebashkiakes Ademi, që ndodhet jashtë vendit për arsye pune, ka qenë kryetari i Këshillit Bashkiak, Xhemal Bushati, ai që ka mbërritur në fushën e stërvitjes së ekipit, kur ai ishte duke zhvilluar seancën e radhës dhe në fund të saj, ka zhvilluar një takim disaminutësh me skuadrën.
“E kam të qartë shqetësimin tuaj për rrogat e vonuara, por të jeni të bindur se do t’i merrni shumë shpejt. Bashkia Shkodër ka qenë dhe do të jetë shumë korrekte në zbatimin e të gjitha kontratave që ju keni firmosur me klubin Vllaznia. Nëse rrogat janë vonuar, kjo ka ardhur për shkak të disa procedurave që janë dashur për konstituimin e këshillit dhe më pas të komisioneve përkatëse. Ju siguroj që mbledhja e radhës do të zhvillohet maksimumi deri të hënën dhe në të do të kalojë fondi i parashikuar për rrogat tuaja. Për këtë duhet të besoni te fjala ime, por edhe te korrektesa që bashkia ka treguar më parë për ju”, – ka thënë kryetari Bushati.
Ai, në fakt, e njeh mirë se si funksionon klubi dhe skuadra, pasi për disa muaj ka qenë anëtar i Bordit Mbikëqyrës të klubit dhe për këtë arsye ka hyrë sërish “garant” edhe këtë herë për pagesat e prapambetura të futbollistëve. Te Vllaznia dy ditët e fundit është vërejtur njëfarë shqetësimi te pjesëtarët e saj për vonesat në dhënien e dy rrogave të prapambetura, por nuk është bërë fjalë për bojkot. Megjithatë, thirrjes së drejtuesve të skuadrës për ardhjen e një personi nga bashkia për të sqaruar futbollistët, i është përgjigjur kryetari i Këshillit Bashkiak Bushati dhe tashmë situata është më e qetë. Janë vonesa të ligjshme, por e rëndësishme është që ka garanci në dhënien e pagesave të parashikuara në kontratat respektive të firmosura në mes dy palëve.
telesport.al
Bashkia Shkodër garanton futbollistët për rrogat
Në mungesë të kryebashkiakes Ademi, që ndodhet jashtë vendit për arsye pune, ka qenë kryetari i Këshillit Bashkiak, Xhemal Bushati, ai që ka mbërritur në fushën e stërvitjes së ekipit “Ju siguroj që mbledhja e radhës do të zhvillohet maksimumi deri të hënën dhe në të do të kalojë fondi i parashikuar për rrogat tuaja. Për këtë duhet të besoni te fjala ime, por edhe te korrektesa që bashkia ka treguar më parë për ju"
Komentet