Te Vllaznia nuk ka asnjë problem rrogash. Garancia për këtë i është dhënë futbollistëve dhe stafit teknik nga ana e bashkisë pasditen e sotme. Në mungesë të kryebashkiakes Ademi, që ndodhet jashtë vendit për arsye pune, ka qenë kryetari i Këshillit Bashkiak, Xhemal Bushati, ai që ka mbërritur në fushën e stërvitjes së ekipit, kur ai ishte duke zhvilluar seancën e radhës dhe në fund të saj, ka zhvilluar një takim disaminutësh me skuadrën.

“E kam të qartë shqetësimin tuaj për rrogat e vonuara, por të jeni të bindur se do t’i merrni shumë shpejt. Bashkia Shkodër ka qenë dhe do të jetë shumë korrekte në zbatimin e të gjitha kontratave që ju keni firmosur me klubin Vllaznia. Nëse rrogat janë vonuar, kjo ka ardhur për shkak të disa procedurave që janë dashur për konstituimin e këshillit dhe më pas të komisioneve përkatëse. Ju siguroj që mbledhja e radhës do të zhvillohet maksimumi deri të hënën dhe në të do të kalojë fondi i parashikuar për rrogat tuaja. Për këtë duhet të besoni te fjala ime, por edhe te korrektesa që bashkia ka treguar më parë për ju”, – ka thënë kryetari Bushati.

Ai, në fakt, e njeh mirë se si funksionon klubi dhe skuadra, pasi për disa muaj ka qenë anëtar i Bordit Mbikëqyrës të klubit dhe për këtë arsye ka hyrë sërish “garant” edhe këtë herë për pagesat e prapambetura të futbollistëve. Te Vllaznia dy ditët e fundit është vërejtur njëfarë shqetësimi te pjesëtarët e saj për vonesat në dhënien e dy rrogave të prapambetura, por nuk është bërë fjalë për bojkot. Megjithatë, thirrjes së drejtuesve të skuadrës për ardhjen e një personi nga bashkia për të sqaruar futbollistët, i është përgjigjur kryetari i Këshillit Bashkiak Bushati dhe tashmë situata është më e qetë. Janë vonesa të ligjshme, por e rëndësishme është që ka garanci në dhënien e pagesave të parashikuara në kontratat respektive të firmosura në mes dy palëve.

telesport.al

 

Komentet