Koha e problemeve dhe e polemikave mes tifozëve dhe drejtuesve të klubit shkodran, duket se ka kaluar tashmë. Mes palëve ka një “armëpushim” dhe tashmë secila prej tyre po mundohet të bëjë më të mirën për të mbështetur Vllazninë. Sapo ka ndodhur kjo, pikërisht në ndeshjet ndaj Kukësit dhe Tërbunit, kur tifozët (ndonëse të paktë në numër) kanë qenë në shkallët e stadiumit “Ismail Xhemali”, skuadra ka marrë edhe rezultatet e para pozitive.

Të jetë koicidencë apo domosdoshmëri, kjo mbetet për t’u provuar. Por ajo që të bën përshtypje është se për ndeshjen e radhës me Tiranën, atmosfera duket krejt ndryshe. Vetë tifozët, kryesisht ata të grupimit “Vllaznit Ultras”, por edhe të tjerë, kanë kërkuar që të kenë pesë autobusë në dispozicion për ndeshjen e së dielës ndaj bardhebluve, ngaqë nuk duan që të mungojnë në këtë sfidë shumë të mirëpritur. Klubi shkodran është gjendur disi i papërgatitur për ta plotësuar këtë kërkesë, ngaqë siç dihet, edhe pak ditë nuk do t’i lëvrohen fondet e duhura nga ana e bashkisë, megjithatë në ndihmë i kanë ardhur disa dashamirës të kësaj skuadre.

I pari ka qenë këngëtari i mirënjohur Bujar Qamili. Ai që njihet edhe si njeriu që i ka dedikuar dy këngë Vllaznisë, pikërisht në vitet 1998 dhe 2001, kur ajo shpallej kampione, tashmë do të kontribuojë edhe nga ana financiare për të mbështetur tifozët. 
“Meqë Bashkia apo klubi e kanë të vështirë të vënë në dispozion të tifozëve dy-tre autobusë për ndeshjen e kësaj jave ndaj Tiranës, atëherë unë i pari po marr iniciativën për t’iu gjendur pranë tifozëve dhe deklaroj publikisht se do të vë një autobuz për udhëtimin e tyre drejt Pukës ditën e diel. Shpresoj shumë që të dalin edhe 3-4 dashamirës të tjerë e të bëjnë të njëjtën gjë, në mënyrë që për këtë ndeshje të ketë shumë tifozë shkodranë në stadium, sepse vetëm ashtu mund të fitojmë me Tiranën”, – ka thënë Mjeshtri i Madh i këngës, Bujar Qamili.

Iniciativës së këtij këngëtari i është përgjigjur kapiteni i Vllaznisë, Ndriçim Shtubina, i cili personalisht ka marrë përsipër që me shpenzimet e tij të vërë edhe ai një autobus për tifozët. “Loja” është zgjeruar dhe i gatshëm për të bërë këtë gjë me një tjetër autobus është shprehur edhe presidenti i ekipit të futbollit të femrave të Vllaznisë, Lazer Matija, i cili edhe herë të tjera ka qenë shumë dashamirës në sponsorizime të tilla. Tre autobusë në këtë mënyrë janë siguruar prej tyre, por në fakt ka edhe dashamirës të tjerë që duan të jenë në krag të tifozëve dhe po ashtu edhe klubi do të bëjë çmos që të sigurojë edhe ndonjë autobus më tepër nëse lind e nevojshme. E sigurtë është që 5 autobusë do të jenë në dispozicion për ndeshjen e së dielës ndaj bardhebluve

 

Komentet