Ka dy javë që Vllaznia ende nuk ka zyrtarisht një trajner. Themi kështu, sepse Grima dhe grupi i trajnerëve që kanë drejtuar skuadrën gjatë kësaj periudhe, nuk janë emëruar në këtë post dhe, për më tepër, nuk e dinë nëse do të vazhdojnë të jenë apo jo në këtë post. Kjo është një dilemë e cila pret përgjigje nga dita në ditë, sepse në fakt është shumë mirë që gjërat të sqarohen njëherë e mirë. Në fakt, kjo periudhë dyjavore e ndërprerjes së kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtares, ka qenë shumë e mirë për zgjedhjen e trajnerit të ri, i cili do të kishte kohën e mjaftueshme për të ndërhyrë në skuadër dhe për të bërë ndryshimet që ai do mendonte.
Por nuk ndodhi kështu gjatë javës së kaluar. Edhe sot, si ditë e parë e javës së re, asnjë lëvizje. Çka do të thotë se edhe këtë të shtunë ndaj Tërbunit në pankinë do të jetë drejtori sportiv Armir Grima. Ndoshta drejtuesit e klubit mendojnë se ai duhet të vazhdojë të bëjë edhe më tej punën e trajnerit, por në fakt, akoma nuk ka një prononcim nëse ai është dakord për këtë gjë apo jo. Situata duhet sqaruar natyrisht sa më parë dhe këtë presin edhe ndihmësit e Grimës, Kraja, Neziri dhe Legata. “Ne jemi çdo ditë në stërvitje me ekipin dhe do të vazhdojmë të bëjmë këtë gjë derisa të na thonë se çfarë do bëjmë. Nëse do të vijë dikush tjetër, ne do të vazhdojmë punën aty ku jemi të fokusuar dhe t’ia lirojmë vendin atij. Megjithatë, kjo situatë duhet sqaruar sa më parë”, – ka thënë Ervis Kraja.
Pas largimit të Luan Zmijanit, pati një problem të vogël në lidhje me atë se kush kishte të drejtë ta emëronte trajnerin e ri. U mendua se në lojë do të hynte kryebashkiakja Ademi, por në fakt kompetenca ligjore në bazë të statutit të shoqërisë aksionere, ia ngarkon këtë përgjegjësi administratorit Kalamishi. Ky nuk ka dashur të ndërhyjë i vetëm në situatën e krijuar dhe për këtë arsye ndoshta ka pritur edhe futjen në lojë të Këshillit Mbikqyrës. Gjithsesi, kjo gjë duhet saktësuar sa më parë për të marrë vesh të gjithë se kush është trajneri i Vllaznisë.