Ndërprerja e kampionatit, për shkak të ndeshjeve të Kombëtares sonë, do të shfrytëzohet nga drejtuesit e Vllaznisë për të zhvilluar një ndeshje miqësore. Kështu, paraditen e nesërme, skuadra shkodrane do të luajë përballë Adës. Në fakt, nga sa merret vesh, në fushë ndaj skuadrës velipojake nuk do të jenë titullarët e Vllaznisë, por ata që nuk kanë gjetur hapësirat e duhura deri tani. Takimi do të nisë në orën 10:00 dhe do të zhvillohet në fushën sportive “Reshit Rusi”.
Ndërkohë, pjesa tjetër e skuadrës që nuk do të luajë në këtë miqësore, do të zhvillojë seancën e zakonshme stërvitore menjëherë pas përfundimit të saj. Atmosfera në kampin kuqeblu duket më e qetë pas barazimit të arritur të shtunën me Kukësin. Zhurma e javëve të para sikur ka rënë tashmë, megjithatë, ende nuk dihet sa do të vazhdojë kështu. Ende nuk ka asnjë lajm nëse do të ketë trajner të ri apo do të vazhdojë të drejtojë stafi aktual me drejtorin Grima në krye. E rëndësishme është që skuadra ka filluar të mendojë për sfidën e javës së ardhshme me Tërbunin, e cila duhet fituar patjetër.