Jetmir Sefa ndez një dritë në fund të tunelit. Ka luajtur ndeshjen e parë si titullar e me kohë të plotë te Vllaznia dhe është bërë njëfarë “heroi” për të tijtë. Pikërisht kur kishin mbetur sekondat e fundit nga koha shtesë, ai ekzekuton një goditje dënimi nga e majta e sulmit shkodran, në pozicion të prirët. E nis për një krosim në zonë, por topi parakalon tërë zonën e portës kuksiane, edhe vijën fatale të saj, pa u prekur nga askush.

 

Një hezitim i pakuptimtë, që i kushtoi jo pak skuadrës së Troisit. Duke folur pas ndeshjes së luajtur në Pukë, Jetmir Sefa, futbollisti që ka provuar të luajë me disa skuadra në Shqipëri, tha: “Ishte një ndeshje e vështirë, që e kishim vlerësuar në maksimum. Kishim mundësitë tona për të fituar, të them të drejtën, por na kënaq edhe barazimi.

 

Luajta ndeshjen e parë, i plotë, si titullar me Vllazninë, ndaj ishte e vështirë edhe për mua. Goditjen e dënimit e dërgova në zonën kuksiane në formë krosimi, por për fat aty s’e preku askush topin dhe përfundoi në rrjetë. Shpresoj shumë që ky gol të shërbejë për kthesën e Vllaznisë. Kemi një grup të mirë lojtarësh, që nuk duhet ta diskutojë qëndrimin në Superiore.”

 

Lidhur me aktivizimin nga fillimi nga Grima, mesfushori kryeqytetas dha këtë sqarim: “Ishte ndeshja e parë që startoja si titullar. Ka qenë një zgjedhje teknike e ish-trajnerit. Kam biseduar me Zmijanin, por ai më pati thënë se nuk isha ende gati për ekipin. Sot luajta nga fillimi, shënova edhe golin e barazimit, ndaj shpresoj të vijoj kështu, që ta ndihmoj Vllazninë për të dalë nga situata kritike në të cilën gjendet pas 6 javësh kampionat.”