Disa nga elementët e rinj të Vllaznisë do të jenë objekt vëzhgimi i një skauti të klubit francez Lion, i cili do të mbërrijë nesër në Shqipëri, me qëllim për të ndjekur derbin Partizani-Tirana, por menaxheri që e shoqëron, shqiptari nga Maqedonia, Luan Kadriu, i ka propozuar edhe ndjekjen e ndeshjes Vllaznia-Kukësi, duke i shpjeguar edhe elementët që ka skuadra shkodrane në përbërje të saj. Francezi ka shfaqur menjëherë interes dhe, për këtë arsye, pasditen e nesërme do të jetë në tribunën e stadiumit “Ismail Xhemali” të Pukës për të parë këtë ndeshje
Ende nuk dihet saktësisht se cilët nga këta futbollistë të rinj trajneri Grima do të hedhë në fushë, megjithatë, të gjithë besojnë se skauti francez do ketë se çfarë të shohë. Aktualisht te Vllaznia bëjnë pjesë lojtarë të rinj të talentuar, si Kalaja, Krymi, Çinari, Dyca, Gurishta, Hakaj, Kapaklija, Pjeshka, Borshi, Sherri e ndonjë tjetër. Kadriu thotë se shumë skuadra të huaja kanë filluar të hedhin sytë nga kampionati shqiptar për elementë të ndryshëm të tij.
Megjithatë, vetë Kadriu është munduar të dërgojë edhe futbollistë të këtij kampionati jashtë vendit. Kështu ndodhi së fundi edhe me Emiljano Vilën, të cilin ka qenë ai që e ka dërguar në Azerbajxhan. Kadria madje ka bërë të ditur sot se është marrë konfirmimi përfundimtar nga Federata Azerbajxhanase e Futbollit dhe të hënën Vila pritet të debutojë me ekipin e tij të ri.
Komentet