Ekipi i Vllaznisë prej katër ditësh është pa trajner dhe kështu duket se do të vazhdojë deri në fillimin e javës së ardhshme. Drejtuesit e klubit ende nuk kanë vendosur për emrin e ri që do të pasojë Luan Zmijanin në këtë detyrë. Në fakt, duket se ka ende një paqartësi për atë se kush ka të drejtë ta zgjedhë trajnerin, teksa administratori i klubit ka dashur t’ia delegojë këtë kompetencë presidentes, që është njëkohësisht edhe kryebashkiakja Ademi, por kjo e fundit duket se nuk ka ndër mend të marrë përsipër një gjë të tillë, sepse bie ndesh me funksionimin e një shoqërie aksionere.
Në kushte të tilla, edhe për ndeshjen e radhës, atë ndaj Kukësit, që do të zhvillohet ditën e shtunë në orën 13:00 në stadiumin e qytetit të Pukës, skuadrën do ta drejtojë sërish drejtori sportiv Armir Grima. Siç është bërë e ditur, që nga e hëna e kësaj jave, ai bashkë me një grup trajnerësh të tjerë është ngarkuar për të drejtuar skuadrën deri në përzgjedhjen e trajnerit të ri. Grima, bashkë me Krajën, Nezirin dhe Legatën drejtuan Vllazninë edhe në ndeshjen e Kupës ndaj Pogradecit.
Pikërisht në këtë ndeshje, të fituar me rezultatin 4-0, kuqeblutë gjetën fitoren pas shumë e shumë javësh. Ndoshta ky është një ogur i mirë dhe, për këtë arsye, edhe të shtunën ndaj Kukësit në pankinë do jetë Grima bashkë me tre trajnerët e tjerë. Nuk përjashtohet mundësia që një rezultat pozitiv në këtë takim për skuadrën shkodrane të mbajë në pankinë këta trajnerë edhe për disa javë të tjera, megjithatë, çdo gjë do të vendoset në fillimin e javës së ardhshme.