Lista e emrave që dëshirojnë të jenë trajnerë të Vllaznisë shtohet me një tjetër emër, madje shumë të nderuar. Bëhet fjalë për ish-futbollistin e kësaj skuadre në fundin e viteve ’80, Adrian Barbullushi. Ai ka shumë vite që jeton në Greqi, ku ka luajtur edhe futboll, ndërkohë që tashmë ka kohë që ka nisur punë si trajner, ku ka filluar të dallohet për punën cilësore me ekipet që drejton. Ish-sulmuesi i Vllaznisë dhe i Kombëtares shqiptare ka studiuar jo pak për t’u bërë trajner.
Zotëron katër gjuhë të huaja dhe tashmë ka edhe përvojën e duhur për të drejtuar skuadrën shkodrane, çka është një ëndërr e tij. Vetë Barbullushi, përmes miqve të tij, ka dashur të bëjë publike dëshirën për të marrë drejtimin e kësaj skuadre dhe, në fakt, do të ishte diçka shumë pozitive. Megjithatë, duhet pritur se çfarë do të ndodhë. Në lojë tashmë janë shumë emra dhe po ashtu, ata po shtohen dita-ditës, vendës dhe të huaj.
Njëri prej tyre tashmë është edhe Adrian Barbullushi. 47-vjeçari do të pasonte Roland Luçin, i cili erdhi nga Austria për të marrë drejtimin e Vllaznisë pesë sezone më parë dhe më pas ishte radha e Rudi Vatës për ta bërë një gjë të tillë. Ndoshta këtë herë ai do të bëhet i treti ish-futbollist i Vllaznisë që do të vinte nga jashtë për ta drejtuar atë. Dy të parët në fakt nuk patën shumë sukses, sepse hasën me probleme nga më të ndryshmet dhe kjo gjë mund të frikësojë drejtuesit e klubit për t’ia besuar pankinën Barbullushit, por mund të ndodhë edhe ndryshe.
Komentet