Vllaznia: 5 ndeshje, 5 humbje, 0 pikë. Më keq nuk ka ku shkon. Vendi i fundit është shpërblimi për punën e dobët e pa përgjegjësi që është bërë e po bëhet me ekipin më me emër të Shqipërisë. Vllaznia nuk e meriton një gjë të tille. Nuk e meriton Shkodra, qyteti ku lindi futbolli. Nuk e meritojnë sportdashësit e saj të zjarrtë. Nuk e meriton Shkodra, qyteti që i ka dhënë Shqipërisë ndër vite me dhjetëra mjeshtra të mëdhenj futbolli. Nuk mund të turpërohet në këtë mënyrë Vllaznia e Loro Boriçit, Muhamet Dibrës, Ernest Halepianit, Ramazan Rragamit, Medin Zhegës, Sabah Bizit, Paulin Ndojës, Rudi Vatës, Hysen Zmijanit, Vioresin Sinanit etj, etj.
Vllaznia është një nga simbolet e Shkodrës. Them një nga simbolet sepse rreth saj u grumbulluan shkodranët që ditën aq bukur t’i kthejnë ndeshjet në festa sportive, që ditën t’i kthejnë lojërat e futbollit në spektakle të vërteta. Kësisoj ajo nuk mund të përdhoset nga paaftësia e disa njerëzve. Nuk dua ta besoj thënien e një tifozi që më tha këto ditë në Shkodër se Vllaznia është peng i partisë. Nuk them se politika është e ndarë nga sporti, por ajo nuk duhet ta drejtojë atë, të caktojë njerëz e të marre vendime. Vllaznia duhet t’u besohet njerëzve të sportit, që Vllaznia i ka me bollëk. Vllaznia duhet të drejtohet nga njerëzit e sportit.
Nisma e marrë për emërimin e Sinanit në një post të rëndësishëm duhet vlerësuar si një gjë e parë drejt rrugëzgjidhjes nga kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi. Ajo dhe stafi i saj urgjent duhet të bëjnë riorganizimin e klubit, i cili duhet administruar ndryshe. Pra, jo nga Bashkia. Afrimi i disa biznesmenëve është gjë e mirë, por nëse ka prej atyre që e meritojnë, u duhet besuar, ndryshe u duhet dhënë përgjigje në kohen e duhur. Natyrisht, nuk dua të jap mend, por shpreh dëshirën dhe besimin se Vllaznia ime, Vllaznia yte, Vllaznia jonë, Vllaznia e emrit të madh Shkodër, do të bëhet.
Por që e keqja të mos marrë rrugë, duhet që puna të nisë sa më shpejt. Ndryshe mund të ndodhë ajo që nuk e duam asnjë. Vllaznia në fund të tabelës jo vetëm nuk është në të mirën e Shkodrës, por as të Shqipërisë. Nuk e di se si mund të ndjehet një kampionat pa Vllazninë. Ajo, me emrin e saj, me prestigjin e madh që ka, por edhe me talentet e shumtë që nxjerr, është si te thuash lezeti i një kampionati. Një kampionat pa Vllazninë, është si një dasëm pa dasmorë.
Unë kam besim te Vllaznia, sepse kam besim te talentet e saj, te tifozët e saj të zjarrtë, te njerëzit, tek intelektualët shkodranë, që mund të thone shumë me mendimet e tyre të vlefshme.Të dashur bashkëqytetarë të mi, mos e humbisni besimin nga Vllaznia, por ndihmoheni me të gjitha mënyrat që ajo të rikthehet në ditët e saj më të mira. Vllaznia duhet ta bëjë një gjë të tillë. Fanella e saj është shumë e shtrenjtë, historia e saj është shumë e pasur.
Nga Ramazan Bizga
Komentet