Katër humbje rresht në katër javët e para në renditje dhe zero pikë të grumbulluara në 360 minuta lojë, kishte kohë që nuk i ndodhte Vllaznisë. Shumë kohë më përpara. Pikërisht në vitin e largët 1958. Plot 57 vjet më përpara. Edhe atëherë, skuadra shkodrane pësonte 4 humbje rresht në sfidat e para të kampionatit. Njëlloj si tani. Për koicidencë, tri humbje, si atëherë, si tani, janë përballë të njëjtëve kundërshtarë: Partizanit, Skënderbeut dhe Flamurtarit. Ndryshimi është se në kampionatin aktual humbja e katërt është pësuar ndaj Teutës, ndërsa para 57 vjetësh, ndaj Dinamos.
Ka edhe të tjera ngjashmëri në këtë histori rekordesh negative. Në katër ndeshjet e tanishme është shënuar vetëm një gol nga Vllaznia dhe kështu ka ndodhur edhe në vitin 1958. Sa u takon golave të pësuar, tani ka më pak të tillë, vetëm 7, ndërsa vite më parë ishin pësuar 10. Por nëse nisemi të bëjmë krahasime, në vitin 1958, ndonëse Vllaznia e nisi kampionatin me 4 humbje, nuk ra nga kategoria. E mbylli atë në vendin e 6-të, nga 8 ekipe pjesëmarrëse. Sivjet ka rrezik të madh për rënien e kuqebluve, por nëse i referohemi ecurisë së mëparshme, ky rrezik edhe mund të kalojë.
Në atë kampionat, skuadrën e kanë drejtuar dy trajnerë, fillimisht Isuf Pelingu, që pas disa javësh u largua për mungesë rezultatesh dhe në vend të tij u emërua Rifat Rusi. Tani është Luan Zmijani, por ende nuk dihet nëse do të arrijë ta mbyllë apo jo kampionatin. Ka edhe një shpresë, gjithmonë referuar statistikave. Në kampionatin e vitit 1958 rezultati i parë pozitiv për Vllazninë erdhi në javën e pestë, duke barazuar 0-0 në Tiranë me 17 Nëntorin. A do ndodhë edhe kështu tani? Këtë askush nuk mund ta thotë me siguri.
Sezoni 1958
Java 1 Vllaznia – Flamurtari 0-1
Java 2 Partizani – Vllaznia 1-0
Java 3 Vllaznia – Skënderbeu 0-2
Java 4 Dinamo – Vllaznia 6-1
Sezoni 2015-16
Java 1 Vllaznia – Skënderbeu 0-1
Java 2 Teuta – Vllaznia 2-0
Java 3 Vllaznia – Partizani 1-2
Java 4 Flamurtari – Vllaznia 2-0
Komentet