Situata rreth ekipit të Vllaznisë kohët e fundit nuk ka qenë aspak e qetë. Rezultatet negative të skuadrës janë shoqëruar me pakënaqësi të tifozëve, të cilët, madje, nuk kanë ngurruar që kryesisht përmes rrjeteve sociale të kërkojnë largimin e drejtuesve aktualë të klubit, por edhe të trajnerit Zmijani. Ata i kanë bërë thirrje kryetares së re të Bashkisë së Shkodrës, znj. Voltana Ademi, të ndërhynte për të bërë këto lëvizje, por realisht ajo nuk ka asgjë në dorë në këtë drejtim.

Themi kështu, sepse të drejtën për të hequr administratorin e ka vetëm Këshilli Mbikëqyrës e ndërkohë që trajnerin e heq po ky këshill (i cili ka qenë ai që e ka vënë), si dhe administratori. Deri më tani ka patur një konfuzion nëse ekzistonte ende Këshilli Mbikqyrës i vjetër apo jo, ngaqë tre prej anëtarëve të tij, që ishin njëkohësisht edhe këshilltarë bashkiakë, që nga zgjedhjet e qershorit nuk janë më të tillë.

Ka ekzistuar ideja se duke mos qenë sërish këshilltarë, ata nuk mund të jenë as pjesë e Këshillit Mbikëqyrës të Klubit “Vllaznia”, por në realitet pa u vendosur nga këshilli i ri largimi i tyre dhe zgjedhja e anëtarëve të rinj, ata mbeten në fuqi. Pikërisht për këtë arsye, ditën e djeshme, pesë anëtarët e këshillit (bordit) ekzistues, kanë zhvilluar mbledhjen e tyre të radhës, e para pas rreth 4 muajsh. Në të kanë marrë pjesë kryetari Amuli dhe anëtarët Bushati, Heta, Haxhija e Shiroka.

Qëllimi i zhvillimit të kësaj mbledhjeje ka qenë shqyrtimi i situatës në të cilën ndodhet aktualisht Vllaznia dhe dhënia e mbështetjes maksimale për nxjerrjen nga situate. Bordi i vjetër kërkon ta mbyllë ashtu si duhet punën e vet dhe për këtë arsye do të mundohet të bëjë më të mirën, duke lënë gjithçka në rregull për këtë klub, në mënyrë që bordi i ri, i cili do të vijë, ta vazhdojë këtë punë edhe më mirë për Vllazninë.

Komentet