Edhe kushti i fundit, i vënë nga Federata Shqiptare e Futbollit, për liçensimin e fushës sportive “Reshit Rusi” është plotësuar. Bëhet fjalë për shtrimin e rrugës hyrëse për te kjo fushë, e cila është bërë e mundur paraditen e sotme falë ndërhyrjes së Bashkisë së Shkodrës dhe Klubit të Futbollit “Vllaznia”. Fotot e tregojnë qartë ndryshimin edhe në këtë aspekt dhe, tashmë, çdo gjë duket gati për inspektimin e fundit të përfaqësuesve të FSHF-së, që do të japin OK-in për liçensimin e saj. 10 ditë më parë, shefi i Sektorit të Garave, Lysien Nurishmi, dhe shefi i Sektorit të Liçensimit, Kejdi Tomorri, kanë qenë në Shkodër për të parë punimet e bëra dhe kanë konstatuar një ndryshim rrënjësor. Megjithatë, kanë lënë edhe 3 detyra të tjera për të realizuar. Vendosjen e një rrethimi tjetër mbi murin e jashtëm, për të shtuar elementet e sigurisë, ngritjen e dy bazamenteve për vendosjen e kamerave të transmetimit televiz të ndeshjes, si dhe shtrimin e rrugës hyrëse për te fusha.
Dy kushtet e para u realizuan shpejt, por problemi doli te shtrimi i rrugës. Gjërat u vonuan, megjithatë, me ndërhyrjen e fundit të bashkisë dhe klubit, paraditen e sotme edhe kjo kërkesë u realizua. Në këtë mënyrë, tashmë, shkodranët presin liçensimin e fushës nga ana e federatës dhe të mërkurën e ardhshme, Vllaznia të luajë ndaj Skënderbeut në “Reshit Rusi”.
Komentet