Një ndër pikat e bëra publike gjatë ditëve të fundit nga ana e tifozerisë shkodrane në lidhje me shqetësimin e çështjes “Vllaznia”, ka qenë edhe takimi që ish-futbollisti shkodran, Rudi Vata zhvilloi të premten e kaluar në Bashkinë Shkodër me titullaren e këtij institucioni, Voltana Ademi, teksa përpos një prononcimi të shkurtër të Vatës, nga ana e qeverisjes vendore nuk ka pasur asnjë reagim.
Megjithatë, edhe pse për momentin nuk ka pasur një qëndrim zyrtar dhe publik në lidhje me këtë takim, burime pranë Bashkisë Shkodër bëjnë të ditur për “Sport Ekspres” se kreu i këtij institucioni, Voltana Ademi e ka marrë shumë seriozisht këtë çështje. Dhe, për këtë gjithnjë nga burimet brenda këtij institucioni mësohet se specialistët pranë kabinetit të saj janë duke punuar për të zbardhur disa nga kërkesat që Rudi Vata ia ka dorëzuar zyrtarisht Ademit gjatë takimit të zhvilluar në bashki të premten e kaluar.
Njëkohësisht, “Sport Ekspres” arriti të sigurojë edhe 14 pikat që Rudi Vata dhe kolegu i tij koreano-jugor, Ji Ëon Choi kanë dorëzuar zyrtarisht në bashki, të cilat po i rendisim më poshtë:

Informacione të përgjithshme për KF Vllaznia

AKADEMIA

  1. Sa ekipe grup moshash janë të regjistruara momentalisht tek Akademia e KF Vllaznia?
  2. Sa trajnerë janë të punësuar aktualisht tek Akademia e KF Vllaznia?
  3. Sa doktorë, fizioterapistë, masazhator janë të punësuar aktualisht tek KF Vllaznia?
  4. Sa drejtorë, shefa, zbulues talentesh, janë të punësuar aktualisht tek KF Vllaznia?
  5. Sa punëtorë mirëmbajtje terrenesh, bazë materiale, janë të punësuar aktualisht tek Akademia e KF Vllaznia?
  6. Cilat janë asetet ose pronat që Akademia e KF Vllaznia mund t’i përdorë ose mund t’i shfrytëzojë gjatë gjithë kohës që do t’i nevojiten?

Skuadra e parë KF Vllaznia

  1. Cili ka qenë buxheti i akorduar nga Bashkia Shkodër për KF Vllaznia në sezonin 2014-2015?
  2. Cilat kanë qenë të ardhurat nga shitja e biletave për KF Vllaznia për sezonin 2014-2015?
  3. Cilat kanë qenë të ardhurat nga të drejtat televizive për KF Vllaznia për sezonin 2014-2015?
  4. Cilat kanë qenë të ardhurat për KF Vllaznia për sezonin 2014-2015 nga FSHF apo sponsorë të tjerë?
  5. Sa trajnerë janë të punësuar aktualisht tek KF Vllaznia?
  6. Sa drejtorë teknike, administratorë, shef klubi dhe vëzhgues futbollistësh janë të punësuar aktualisht tek Vllaznia?
  7. Sa doktorë, fizioterapistë, masazhator, apo psikologë janë të punësuar aktualisht tek FK Vllaznia?
  8. Sa punëtorë mirëmbajtjeje, terrenesh sportive, bazë materiale janë të punësuar aktualisht tek KF Vllaznia?
  9. A ka borxhe të prapambetura dhe të detyrueshme për t’i paguar nga sezonet e kaluara tek KF Vllaznia?
  10. A ka borxhe aktuale dhe të detyrueshme për t’i paguar tek ndërmarrjet e Elektrikut dhe Ujësjellësit tek KF Vllaznia?
  11. Në total, cili ka qenë bilanci financiar shpenzimeve dhe të ardhurave për sezonin 2014-2015 tek KF Vllaznia?
  12. Cilat janë asetet ose pronat të cilat KF Vllaznia mund t’i përdorë ose mund t’i shfrytëzojë gjatë kohës që do t’i nevojiten asaj?
  13. A ekziston departamenti i marketingut tek KF Vllaznia?
  14. Sa të punësuar ka departamenti i marrëdhënies me median dhe publikun tek KF Vllaznia?

“Mbasi të kemi një raport zyrtar nga Bashkia Shkodër mbi këto pika të paraqitura atëherë do jemi në gjendje të analizojmë dhe të studiojmë me kujdes gjendjen e përgjithshme te KF Vllaznia me mendimin dhe dëshirën e mirë për të bërë një propozim zyrtar nga ana jonë me qëllimin e arritjes së një marrëveshjeje dypalëshe duke synuar blerjen e aksioneve të KF Vllaznia ku ne do të kërkojmë të paktën 51 % të këtyre aksioneve”, citohet në mbyllje të shkresës zyrtare që dyshja Vata-Ji Won Choi i dorëzuan kryebshkiakes Volata Ademi gjatë takimit në bashki të premten e kaluar.