Drejtuesit e Vllaznisë dhurojnë një tjetër goditje në merkato. Të nëntën radhazi. Pasditen e sotme ata kanë firmosur edhe me futbollistin e ri kosovar Kreshnik Lushtaku. 21-vjeçari, që luan si mesfushor krahu kishte disa ditë që stërvitej me kuqeblutë, duke qenë para syve të trajnerit Zmijani dhe, për rrjedhojë, ky i fundit, pasi e ka “shoshitur” mirë e mirë paraqitjen e këtij lojtari në stërvitje, ka vendosur ta ketë në planet e tij për sezonin e ri. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit pastaj janë ulur në tavolinën e bisedimeve dhe pasditen e djeshme është mbërritur deri te firma.
Siç bën të ditur vetë klubi përmes faqes së tij zyrtare, me Lushtakun “e vogël”, Kreshnikun, është firmosur një kontratë dyvjeçare, ndërsa prezantimi i tij para mediave do të bëhet paraditen e së martës. Me marrjen edhe të këtij futbollisti, duket se mesfusha tashmë është blinduar, ndërsa priten përforcime edhe në sulm dhe mbrojtje, reparte këto që presin lojtarë të tjerë, në mënyrë që skuadra të konsiderohet e plotë në prag të nisjes së kampionatit të ri.

www.telesport.al

Komentet