Sqarim i opinionit publik në lidhje me kërkesat e z. Safet Gjici, për vetofrimin e tij që të kontribuojë pranë Klubit të Futbollit “Vllaznia”. Bashkia Shkodër e sheh të nevojshme që të sqarojë opinionin sportdashës shkodran dhe më gjerë në lidhje me deklarimet në media të z. Safet Gjici për pretendimet ndaj klubit “Vllaznia”. Pavarësisht se këto deklarime nuk janë zyrtare dhe nuk kanë referenca ligjore, ato nuk mund të trajtohen në momentin tranzitor që ndodhet Këshilli i Bashkisë Shkodër.
Sipas ligjit Nr. 8652, datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, akoma nuk janë konstituar organet e qeverisjes vendore, të dala nga zgjedhjet e datës 21 qershor 2015. Bashkia Shkodër dëshiron të theksojë se ajo do të jetë korrekte, transparente dhe e hapur për të trajtuar ligjërisht çdo kërkesë zyrtare nga persona apo palë të interesuara, që duan të kontribuojnë pranë ekipit të futbollit “Vllaznia”, gjithmonë në përputhje të plotë me aktet ligjore “Për Shoqëritë Tregtare”, pasi i tillë është statusi ligjor aktual i klubit të futbollit “Vllaznia”.