Stafi teknik i kuqebluve kishte menduar zhvillimin e një ndeshje miqësore me Besëlidhjen, por trajneri i kësaj të fundit, Kreshnik Krepi, ka thënë se skuadra e tij nuk ishte gati për një ndeshje të tillë, ngaqë e ka filluar me vonesë fazën përgatitore. Lezhjanët kanë kërkuar që miqësorja të luhej të mërkurën e ardhshme, megjithatë, kjo nuk mund të ndodhë, ngaqë kuqeblutë pritet që të hënën të lëvizin jashtë Shqipërisë për fazën përgatitore.

Moszhvillimi i ndeshjes me Besëlidhjen ka bërë që stafi i Vllaznisë të mos mendojë fare për gjetjen e një tjetër kundërshtari për miqësoren e nesërme. Thjesht do të ketë një test kontrolli brenda familjes, teksa formacioni i parë do të vihet përballë të dytit. Në këtë ndeshje do të luajë edhe mbrojtësi i ardhur për provë Hamels Hoxha, i cili në seancën e parë me kuqeblutë ka lënë përshtypje të mirë, megjithatë, kjo nuk mjafton, sepse për të firmosur kontratë me skuadrën shkodrane, atij i duhet të bindë plotësisht trajnerin Zmijani.

Komentet