Ekipi i Vllaznisë ka arritur fitoren e parë në miqësoren e luajtur ndaj ekipit të Kamzës. Dy golat e Çinarit dhe një i Dycës i kanë dhuruar fitoren e parë ekipit shkodran, pas tre humbjeve rradhazi ndaj Zetës, Kastriotit dhe Deçiç. Takimi është zhvilluar në fushën sportive të Shtojit dhe ka nisur në orën 17:30, duke u ndjekur nga një numër i lartë tifozësh.
Ekipi i Vllaznisë zbriti në fushën e lojes me këtë formacion: Dragojeviç, Haxhaj, Marku, Gurishta, Hakaj, Krymi, Shtubina, Bardulla, Ahmeti, Selmani dhe Çinari.
Loja nis më mirë për shkodranët, ku rrezikojnë që në minutat e para porten kundërshtare, por goli do të vinte pas 20 minutash lojë, ku Çinari do të kalonte në avantazh ekipin e Vllaznisë. Në minutat në vazhdim, lojtarët e ekipit shkodran do të provonin të gjenin golin e dytë, por nuk do të tregoheshin të saktë në zonën e ekipit mik. Konkretisht, Shtubina dhe Bardulla do të kishin disa mundësi për të dyfishuar rezultatin, por mbrojtja e Kamzës do të largonte rrezikun. Pjesa e parë do të mbyllej me një rast të humbur nga Çinari, i cili nuk arrin të shtyjë topin në porten e boshatisur. Pjesa e dytë nis me ndryshime, ku largohen nga fusha e lojës Gurishta e Bardulla dhe në vend të tyre aktivizohen Pjeshka e Dyca. Edhe kjo pjesë është e njëjtë si e para, me Vllazninë që është më kërkuese ndaj golit. Ashtu si në pjesën e parë, edhe në të dytën është i njëjti autor dhe e njëjta minutë ku do të shënohet edhe goli i dytë. Në minutën e 65-të, Çinari do të dyfishonte rezultatin, duke i siguruar fitoren e parë ekipit të Vllaznisë. Pas golit të dytë, trajneri Zmijani vendos të aktivizojë një nga një të gjithë lojtarët që ishin në stol, si: Borshi, Kabuni, Paviçeviç, Kapaklija, Ruçi, Kiri, Vjerdha dhe Beci. Pavarësisht dy golave të realizuar, shkodranët do të kërkonin edhe golin e tretë. Gol, i cili do të vinte në fund të takimit, ku në minutën e 90-të Dyca do të shënonte për ekipin e Vllaznisë dhe më këtë gol do të mbyllej krejt takimi. Fitorja e arritur ndaj Kamzës dhe loja e bukur e zhvilluar nga futbollistët e Vllaznisë “rikthejnë” buzëqeshjen në kampin shkodran, pas atyre rezultateve negative në tre miqësoret e mëparshme.
ShkodraPress.com
Komentet