Vllaznia bën realitet edhe blerjen e saj të gjashtë në merkaton e kësaj vere. Ai është mesfushori kosovar Berat Ahmeti. Lojtari ka mbërritur pasditen e sotme në Shkodër, shoqëruar nga i vëllai i tij, futbollisti i Prishtinës Azem Ahmeti dhe menaxheri i tij dhe kanë biseduar me drejtuesit e Vllaznisë për mundësinë e gjetjes së gjuhës së përbashkët për veshjen e tij kuqeblu. Ashtu siç ishte biseduar edhe më parë, palët nuk e kanë patur të vështirë të arrijnë akordin e duhur. 20 vjeçari pëlqehet shumë nga ana e trajnerit Zmijani dhe drejtuesit e klubit kanë bërë çmos t’ia plotësojnë kërkesën për ta marrë atë.
Sipas njoftimit zyrtar nga ana e vetë klubit shkodran, paraditen e nesërme do të firmoset kontrata respektive mes palëve dhe më pas do të bëhet prezantimi i tij para medieve diku afër mesditës. Ahmeti do të zhvillojë edhe seancën e parë stërvitore me kuqeblutë dhe tashmë mund të quhet plotësisht pjesë e Vllaznisë.
Bëhet fjalë për një futbollist që është konsideruar jo më kot nga më të talentuarit e futbollit kosovar të viteve të fundit dhe pasi ka luajtur për tre sezone me Prishtinën, në sezonin e fundit ka luajtur në Hungari, ndërsa tani do të jetë pjesë e kampionatit shqiptar me ekipin e Vllaznisë. Për drejtuesit e kësaj të fundit, pritet që të ketë edhe 2-3 firma të tjera para se të mbyllet merkatoja dhe skuadra të jetë gati pastaj për nisjen e sezonit të ri.