Skuadra shkodrane do të zhvillojë ndeshjen e dytë miqësore në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik.Të mërkurën që vjen, ajo do të ndeshet me ekipin malazez të Deçiçit të Tuzit. Edhe kjo ndeshje, ashtu si ajo ndaj Zetës, do të luhet në stadiumin e qytetit të Tuzit, drejtuesit e të cilit janë shprehur të gatshëm t’i hapin dyert sa herë që të kenë nevojë shkodranët. Deçiç ka fituar të drejtën për të luajtur në Superligën malazeze dhe ka filluar përgatitjet për sezonin e ri dhe për këtë arsye, prova ndaj Vllaznisë do të jetë e para për të.

Takimi do të luhet te merkuren në orën 18.00 dhe kuptohet që do t’i vlejë të dy ekipeve për të parë se ku janë. Trajneri Zmijani do ketë sërish mundësi të testojë futbollistët e tij, për të parë se çfarë ka korrigjuar në krahasim me ndeshjen e parë, atë të luajtur ndaj Zetës dhe të humbur me rezultatin 0-1. Në atë përballje kuqeblutë nuk treguan asgjë të mirë, megjithatë, për stafin teknik nuk ishte ndonjë problem, sepse ishin thjesht përgatitjet e para të tyre. Natyrisht që tashmë gjërat do fillojnë të marrin rrjedhë tjetër.

Nga e hëna, do të nisë puna më me intensitet në përgatitjet e ekipit të Vllaznisë dhe mendohet që ai të zhvillojë nga dy seanca në ditë. Gjatë ditëve në vijim nuk përjashtohet mundësia që të ketë sërish ardhje të tjera në skuadër dhe prandaj testi miqësor ndaj Deçiçit do ta ndihmojë trajnerin Zmijani për të krijuar një ide më të qartë për këta futbollistë, nëse ia vlejnë t’i mbajë në skuadër apo të kthehen mbrapsht, ashtu si shumë të tjerë që kanë ardhur.

 

Komentet