Skuadra e Vllaznisë pasditen e djeshme ka mbyllur edhe javën e tretë të stërvitjes, ndërsa sot dhe nesër futbollistët do të jenë pushim. Një javë, e cila, në fakt, nuk ka dhuruar ndonjë surprizë të madhe. Thjesht ka patur të tjera largime nga skuadra dhe ndërkohë ka ardhur përforcimi i parë nga merkatoja. Ai është shqiptaro-maqedonasi Jasir Selmani.

Tashmë, edhe zyrtarisht, janë larguar nga skuadra kuqeblu mbrojtësit Gocaj dhe Sykaj, po ashtu mesfushori Gilman Lika. Nga ana tjetër, edhe kapiteni Beqiri është thuajse i larguar, ngaqë nuk e ka arritur akordin përfundimtar me drejtuesit e klubit për anën financiare të kontratës së re. Me këta futbollistë, por edhe me Demën, Hajdarin, Tafilin e Bacin të larguar më parë, ka shkuar në tetë numri i futbollistëve të “divorcuar” deri tani nga Vllaznia.

Ndërkohë, siç e thamë, i afruar deri tani është vetëm një lojtar, Selmani. Në dy ditët e fundit me kuqeblutë është stërvitur edhe mbrojtësi shkodran, Mateo Zefi. 21-vjeçari, dy sezone më parë ka qenë pjesë e Vllaznisë, ndërsa në sezonin e fundit luajti me Adën. Mesa duket, mund të kthehet sërish te shkodranët. Trajneri Zmijani ka shfaqur simpati për ato vlera të paraqitura nga ky futbollist në këto dy seanca të para.

Megjithëse vendimi për të do të merret në javën e ardhshme, ai fare mirë mund të konsiderohet pjesë e skuadrës që tani. Të paktën logjika këtu të çon. Megjithatë, afrimet nuk do të ndalen këtu. Drejtuesit e Vllaznisë që nga pasditja e së hënës pritet të zyrtarizojnë të tjerë lojtarë. Bëhet fjalë për tre futbollistë malazezë dhe të paktën dy kosovarë. Përveç tyre mund të vijë edhe ndonjë futbollist tjetër i kampionatit shqiptar. Vllaznia mendohet të kompletohet dhe të bëhet gati për nisjen e sezonit të ri.

 

Komentet