Gilman Lika nuk është më futbollist i Vllaznisë. Mesfushori shkodran ka pritur deri në fund të muajit, sikurse kishte premtuar, për t’i qëndruar besnik kontratës morale që kishte me klubin-mëmë. Pasi ka parë që situata te Vllaznia mbetet e nderë dhe nuk bëhet fjalë për të ndërtuar një skuadër pretendente, futbollisti në fjalë ka mbërritur të martën në zyrat e klubit dhe ka biseduar me drejtuesit. Ata i ka vënë në dijeni se nuk mund të presë më, por do të kalojë në një klub tjetër.

Natyrisht, Kalamishi e të tjerët nuk kanë patur mundësi për të dalë kundër lojtarit, sepse kërkesat e Likës mbeten në ajër, akoma. E kemi fjalën për ndërtimin e një skuadre pretendente, jo që të luftojë për mbijetesë, sikurse kishte kërkuar mesfushori i shumëshëtitur. Fundi i muajit erdhi, ndaj ishte momenti që palët të ballafaqoheshin. Por edhe të merrershin vendime, sikurse bëri Gilman Lika, duke u ndarë përfundimisht nga Vllaznia.

Mësohet se futbollisti shkodran do t’i bashkohet Tiranës. Me klubin kryeqytetas ka arritur marrëveshje, madje ka marrë edhe një shumë të konsiderueshme parapagim. Kanë qenë disa llogari të vjetra, disa detyrime të bardhebluve ndaj tij, të cilat janë revizionuar në bisedimet e fundit, ato që i kanë bërë bashkë sërish dy palët. Natyrisht, oferta financiare e bërë nga Vllaznia ishte shumë e mirë, më e lartë se ajo e Tiranës, por mungesa e sigurisë dhe garancisë te kuqeblutë e ka bërë Gilman Likën të shpallë “divorcin” me klubin e vendlindjes.

Një tjetër “firo” nga skuadra shkodrane, që tregon se punët aty nuk po shkojnë si duhet, se sezoni i ri futbollistik do ta gjejë Zmijanin dhe të tijtë duke luftuar për mbijetesë në Superiore. Gilman Lika iu bashkua Vllaznisë në merkaton e janarit, pasi u përzu nga Flamurtari. Ai pati dhënë fjalën se do të qëndronte në Shkodër, nëse ndërtohej një skuadër ambicioze. Por, afati i pritjes, fundi i muajit qershor, i ka gjetur gjërat më keq se sa ishin. Ndaj ka shkuar në klub, është përshëndetur me drejtuesit kuqeblu dhe u ka bërë me dije se po ikën.

Tirana është një stacion i njohur për Gilman Likën në karrierë. Ai ka luajtur me 24 herë kampionët e vendit edhe në periudhën 2010-2013. Në kampionat ka luajtur 59 ndeshje me Tiranën, duke shënuar edhe 14 gola. Po ashtu, futbollisti në fjalë ka provuar të luajë edhe jashtë vendit: me Diyarbakırspor, Boluspor dhe Hacettepe (Turqi), si dhe me Al Faisaly (Arabia Saudite). Në Shqipëri ka veshur edhe fanellën e Skënderbeut e Flamurtarit.

 

Komentet