Pas Bekim Demës, një tjetër futbollist pritet të largohet nga Vllaznia. Ai mendohet të jetë mbrojtësi i majtë Alis Baci. Ndonëse edhe ky futbollist ka kontratë me kuqeblutë edhe për sezonin tjetër, akoma nuk ka siguri se kjo kontratë do të vazhdojë deri në fund. Trajneri Zmijani ka patur një takim me futbollistin pak kohë më par, duke i shpjeguar se nuk ka mbetur i kënaqur me impenjimin e tij në skuadër në ndeshjet e fundit të sezonit, ndonëse ai ka kaluar një periudhë dëmtimi.

 

Kjo ka bërë që vetë Baci të mos ndjehet i sigurtë për të ardhmen. Burime pranë tij bëjnë të ditur se me shumë të ngjarë ai nuk do të jetë pjesë e Vllaznisë në sezonin e ri. Baci ka patur një ecuri të mirë deri në javën e 19-të të kampionatit të kaluar, teksa ka luajtur rregullisht në formacion e më pas kanë filluar oshilacionet. Në total ka luajtur 1976 minuta në 24 ndeshje, por ato nuk kanë mjaftuar për të bindur aq sa duhet.

Problemi që lind është se kush do ta zëvendësojë atë në rast largimi? Për momentin në skuadër janë Antonio Marku, i cili ka bërë paraqitje të mira në ndeshjet e fundit të sezonit, si dhe 19-vjeçari Esin Hakaj. Trajneri Zmijani ndoshta ka ndër mend që të mbyllë gjithçka për këtë pozicion me këta dy futbollistë. Mbase mund të ketë edhe lojtarë që vijnë nga merkatoja, por situata aktuale kjo është. Gjithsesi, për të ardhmen e Bacit apo dhe të ndonjë futbollisti tjetër, me shumë siguri do të vendoset pas të hënës që vjen, ditë kur do të nisë edhe stërvitja.