ANALIZA – “Ky kampionat për Vllazninë ka një histori të veçantë. Të gjithë e dinë se si u nis ky sezon për skuadrën tonë, me shumë probleme dhe që në përmbyllje të tij renditemi në vendin e shtatë”, deklaron në fillim të prononcimit të tij Shiroka. Më pas, ai vijon: “Megjithatë, me të gjitha këto peripeci dhe përpjekjet gjatë rrugës, Vllaznia arriti të stabilizohej në këtë pozicion duke qëndruar në Superligë. Nëse do të ndodhte e kundërta do të kishte qenë një turp më vete për futbollin shkodran”.

VAZHDIMËSIA – Për Shirokën, periudha në vazhdim për Vllazninë duhet të marrë vëmendjen e duhur në administrimin dhe menaxhimin e problemeve që mund të hasë gjatë rrugës, duke filluar me ato financiare. “Vllaznia, sezonin e ardhshëm nuk do të luajë deri në fund të tetorit në stadiumin “Loro Boriçi” dhe do të na duhet të spostohemi sa në Tiranë, Krujë, Laç, apo diku tjetër. Ky mund të jetë një dizavantazh për skuadrën tonë, sepse nuk do të luajë para publikut të saj për rreth 2 muaj”, pohon Shiroka, i cili sugjeron që ndeshjet e Vllaznisë të luhen në Lezhë, duke konsideruar të favorshme afërsinë gjeografike mes dy qyteteve.

RIORGANIZIMI – Sipas Shirokës, kjo është një çështje që i takon stafit aktual teknik me në krye trajnerin Zmijani, që së bashku me drejtorin teknik, Armir Grima duhet të përcaktojnë listën e lojtarëve që do të jenë pjesë e skuadrës në të ardhmen. Për sa i përket anën financiare, zv.kryetari Bordit Mbikëqyrës së Vllaznisë deklaron: “Do të bëhen përpjekjet e duhura në Këshillin Bashkiak aktual në mënyrë që skuadra të ketë garanci në këtë aspekt. Personalisht do të interesohem që në çdo diskutim të rendit të ditës në këtë Këshill, skuadra e Vllaznisë të ketë vendin që i takon”. Në këtë drejtim, Shiroka sqaron se Bordi Mbikëqyrës ka për detyrë të kujdeset në maksimum për mirëmenaxhimin e Vllaznisë deri në konstituimin e Këshillit të ri Bashkiak që do të dalë me zgjedhjet e reja vendore. “Këshilli i ri duhet që të merret shumë seriozisht me të ardhmen Vllaznisë”, deklaron Shiroka, i cili si përfundim siguron se: “Skuadra i ka të garantuara rrogat deri në mbyllje të sezonit”, – përfundoi zëvendëskryetari i Bordit Mbikëqyrës së Vllaznisë, Edip Shiroka.

Sport Ekspres

Komentet