Bashkia Shkodër, Bashkia që ngul thikën pas shpine. Duke filluar nga Valter Fushaj, e njëjta formë me Mirel Josën e tashmë edhe me Rudi Vatën. Që në fillim të këtij opinioni dua t'ju bëj me dije që nuk do bëj avokatin e Vatës sepse besoj e keni parë se cila ka qenë gjuha me të cilën kam folur kur Vata ka gabuar. Nëse do merremi me individë apo situata specifike e bëjmë mësëmiri këtë dhe madje ditë e natë. Kjo do thoja është e papërfillshme në krahasim me mënyrën se si sillet Bashkia, si vepron ajo me Vllazninë. Si drejtues të rinj në verën e nxehtë të vitit të kaluar detyruan Valter Fushaj që të japë dorëheqjen. Çfarë bënë? Ia ngluën pas shpine. Kësaj here çudia zgjati më shumë se tre ditë sepse çështja u diskutua, u përfol gjithandej dhe si pa kuptuar u harrua. U harrua sepse tifozët e Vllaznisë zgjuan tepër shpresat e tyre. Ëndërruan sepse që nga Lorenc Luka e më pas me radhë vartësit e tij premtuan aq shumë sa na u duk se Vllaznia do na kthehej si Barcelona, veçse në Shqipëri. Çfarë ndodhi? Zhgënjimet filluan që në merkaton e verës. Asnjë përforcim cilësor për të krijuar një ekip pretendent ashtu siç u tha. Nisi sezoni. Për të shmangur përgjegjësitë e veta dhe dështimin që ishte bërë i pandshëm që më herët gjetën kokën e parë për Kurban. Mirel Josa. Trajneri pasionant që gjithnjë dha më të mirën për Vllazninë. Korrekt me të gjithë, njeriu i punës i drejtësisë që me zemër kërkonte Vllazninë pretendente. Ky karakter i fortë dikuj nuk i pëlqeu dhe pa filluar mirë e nisën drejt kryeqytetit si të pavlefshëm më për kuqeblutë. Edhe pse kishte shumë për të thënë, Josa sërish tregoi se e do ndoshta edhe më shumë se ndonjë nga këta shkodranët e Bashkisë teksa nuk foli. Zgjodhi heshtjen për hir të sëmirës për Vllazninë. Tani për të dalë nga situata sërish drejtuesit gjetën një justifikim duke lënë shpresat ende të zgjuara teksa vijuan me premtimet. U përmend merkatoja e janarit. Sikur do bëhej nami. Aksionerë të fuqishëm, shitje me potencë e aksioneve, lloj lloj mrekullirash u dëgjuan nga gojët e atyre që Vllaznia i dukej si forum politik a fushatë elektorale ku mashtrohet pafund se asgjë nuk ndodh. Ndër këto ujëra një tjetër zgjidhje e zgjuar për të ulur për të disatën herë tonet. Rudi Vata. Djali potent e autoritar i Shkodrës e i Shqipërisë. Me stilin e tij të veçantë mori Vllazninë e një mijë e një problemeve. Gjithçka u besua tek ai. Kur lufta është e humbur pa filluar gjeneralët nuk mund ta shpëtojnë mbretin e as ushtrinë e tij. Erdhi janari dhe Kampionati i Vllaznisë ishte si anija pa kapiten që sillet e sillet në det duke harxhuar kot karburantin e në vend që të dalë në krye dëshpërimisht fundoset me të gjithë ekuipazhin e saj. Pas gjëmës "Sukaj" në prag të sfidës me Skënderbeun ku u përlyen qoftë drejtueit e qoftë vetë Vata, lamtumirën e jep edhe Vajushi, kësaj here me Bashkinë kokë e këmbë të përlyer. Kush ti zëvendësonte? Ata që Vata kërkoi me ngulm nuk erdhën. Në këtë situatë trajneri solli të vetmit lojtarë që pranuan për tu veshur kuqeblu. Futbollistë skarco. Janari kaloi dhe ata aksionerët e fuqishëm e ajo Vllaznia gjigande që u premtua nga Presidenca nuk erdhën. Vetëm u miratuan përmes Këshillit Bashkiak, "vegla" e përhershme e Lukës, miliona lekë disa herë me radhë, lekë që nuk dihej nga shkonin sepse realiteti tregonte tjetër send, skuadra nuk ishte asgjëkundi. Vllaznia ende vazhdonte rrotullimin në det ndërsa ekuipazhi vetëm llafoste mediatikisht. Me rrallë të gjithë, pa përjashtim. Mes ligjëratash mediatike, anija nuk ka më karburant. Dukë u përpëlitur, fundoset. Në gjithë këtë mesele Vata padyshim që ka gabimet e tija dhe nuk tërhiqem nga kritikat në drejtim të tij por më shumë se kjo më shqetëson pikërisht kjo Bashki që tallet me një qytet, tallet me tifozët, tallet me taksapaguesit e Shkodrës, tallet me futbollistët, tallet me të gjithë, tallet me Shkodrën, tallet me Vllazninë, këtë histori të pasur Kombëtare. Sa turp! Turp për të gjithë ! Shkelin vlerat, nëpërkëmbin historinë! E dashur Bashki, Vllaznia nuk është biletë bingo, as vatër politike, as pronë e juaja personale! Është arkivi ynë i artë, i gjithë shqiptarëve, shkodranëve në veçanti ! Njëherë e mirë mësojeni në jetën tuaj se çdo të thotë "djepi i futbollit shqiptar"! Mos harroni. Historia vret !
Senad Nikshiqi