Kapiteni shkodran kërkon që ekipi thjesht të luajë si ndaj Skënderbeut në ndeshjen e fundit, pasi edhe golat do të vijnë patjetër
“Nëse ndokush mendon se Vllaznia tashmë pas vendimit të Komisionit të Apelit ka pak shanse për të shkuar në gjysmëfinale të kupës, gabon. Ne jemi më të favorizuar se Flamurtari, sepse ndeshjen direkte do ta luajmë në Shkodër.” Kështu ka deklaruar dje në një konferencë për shtyp kapiteni i Vllaznisë, Amarildo Belisha. Logjika e tij mund të jetë e tillë, ndoshta janë fjalë kapiteni dhe skuadra duhet motivuar.
Mbase mund të jetë vërtet ashtu, se të dyja skuadrat kanë edhe nga tri ndeshje për të luajtur dhe nëse Vllaznia vërtet luan si me Skënderbeun në ndeshjen e fundit, do të kërkojë pikë në çdo takim. Pikërisht edhe Belisha ndalet te ndeshja e fundit ndaj korçarëve, ai e vlerëson shumë lojën e zhvilluar, e cila u jep shpresë për kthesë edhe në takimet e ardhshme. Për këtë arsye, i pyetur nëse mund të quhet ndeshja e kthesës për skuadrën e tij ajo me Skënderbeun, kapiteni i kuqebluve do përgjigjej:
“Mund ta quaj ndeshja e kthesës për Vllazninë. Pasi për vetë lojën që zhvilluam, rezultati duhej të ishin në favorin tonë. Kemi luajtur mirë, krijuam raste. Ne luajtëm përballë një kundërshtari të fortë. Pavarësisht se fati nuk ishte me dhe nuk shënuam, mendoj se jemi në rrugën e duhur për në vazhdimësi”. Mendimi është i qartë.
Të gjithë thonë se tashmë ka ardhur kthesa për shkodranët. Sa do jetë kështu? Kjo mbetet për t’u pare, sepse tashmë kampionati sa vjen e bëhet më i vështirë e po ashtu edhe ndeshjet e kupës.
Kampionati Vllaznia në të dy kompeticionet do kërkojë më të mirën dhe prandaj tashmë është harruar paraqitja e mirë ndaj Skënderbeut. Të gjithë janë të përqendruar te ndeshja e radhës, ajo për kampionat me Kamzën, që do luhet në Shkodër ditën e diel. Duke folur në lidhje me këtë ndeshje, Belisha do të shprehej: “Të gjitha ndeshjet janë delikate, përfshi edhe këtë me Kamzën.
Por ne në çdo ndeshje në Shkodër duhet të hymë me mentalitetin për ta fituar. Si e tillë, mendoj se edhe në këtë ndeshje duhet të përqendrohemi e të bëjmë maksimumin, pasi Kamza është një ekip që vendoset mirë në fushë. Ne duhet të dalim tek ajo loja që zhvilluam me Skënderbeun dhe të arrijmë me sukses fitoren.”
Për të fituar duhet ndërkohë patjetër që skuadra të shënojë, ky është një defekt që po vërehet aktualisht te Vllaznia. Trajneri Vata është duke u munduar të korrigjojë disa gjëra në këtë drejtim, megjithatë, edhe vetë Belisha mendon se ky problem do vijë duke u rregulluar, prandaj shton: “Vetë kampionati është i gjatë.
Mendoj se ekipi ka raste që në periudha të caktuara shprehet më mirë në sulm se sa në mbrojtje dhe anasjelltas. Mendoj se është një mungesë e fatit që ne nuk arritëm të shënojmë në ndeshjen me Skënderbeun. Shpresojmë që me ndeshjen me Kamzën ta rregullojmë shënjestrën dhe të dalim atje ku pret e gjithë Shkodra”.
Mbase ai luan pak më prapa, në mesfushë apo dhe mbrojtje dhe nuk e di mirë se çfarë ndodh me sulmin, por e ka të qartë se mosshënimi aktualisht nuk është ndonjë problem i madh për këtë skuadër. Në fund, për Belishën edhe një pyetje se si ndihet kur ai nuk ka një vend stabël në fushë, por deri tani ka provuar të luajë në tri pozicione. Përgjigjja e tij është e tillë: “Belisha luan për Vllazninë. Pozicioni nuk ka aspak rëndësi për mua. E rëndësishme është që të jem në gjendje të optimale për t’i shërbyer ekipit. Për të tjerat vendos trajneri.”