Provat tek ekipi i Vllaznisë nuk do të reshtin në asnjë moment. Nga sa mësohet, do të jenë edhe pesë lojtarë të tjerë për provë pranë këtij klubi, pikërisht në startin e fazës përgatitore. Malazezët duket se do të jenë një burim për ekipin e Vllaznisë, edhe në këtë merkato. Ato do të jenë pista më të mundshme të drejtuesve të klubit shkodran në këtë periudhë. Ajo që mësohet është se do të jenë dy sulmues që do të kalojnë një periudhë prove pranë ekipit të Vllaznisë në ditët e para të fazës përgatitore në Ulqin. Dyshja e sulmit mësohet se priten të bashkohen me ekipin në janar. Nuk ka më asnjë shpresë për drejtuesit e klubit për të forcuar repartet ku edhe kanë vuajtur më tepër. Megjithatë drejtuesit duken të bindur për të gjetur lojtarët e duhur për këtë repart. Nisur nga kjo, jo vetëm vendi fqinj i shkodranëve, Mali i Zi, shikohet si mundësi pasi siç mësohet, në Ulqin, për t’u provuar, në janar priten të vijnë edhe tre lojtarë brazilianë. Brazilianët janë pritur prej kohësh që të vijnë në Shkodër, por mesa duket ato kanë zgjedhur të vijnë në fillim të vitit të ri për të kaluar periudhën e provës pranë ekipit të Vllaznisë. Bëhet fjalë për dy lojtarë, të cilët do të luajnë në mesfushë e po ashtu edhe për një lojtar që luan në rolin e sulmuesit. Tre lojtarët brazilianë mesa mësohet janë të ardhur nga lista e gjatë e lojtarëve që drejtuesve të klubit shkodran i kanë “trokitur në derë”. Ata do të bëjnë seleksionimet e mundshme dhe pas tyre do të dalin në vendime të veçanta. Mesa duket, tani Brazili dhe Mali i Zi mbesin pistat e vetme që drejtuesit e klubit mund të kërkojnë lojtarë, pavarësisht se edhe në kampionatin shqiptar duket se po kërkohet në të tre repartet. Por siç duket sulmi dhe mbrojtja mbeten edhe “thembra e Akilit” për ekipin shkodran. Janë provuar shumë lojtarë në këtë periudhë, pa lënë ndonjë shije të mirë për teknikun Vata. Tani në Shkodër të gjithë janë me sy nga ajo që do të ngjasë në muajin janar, pasi deri atëherë gjithçka do të jetë “në vend-numëro”.